Sot kritikuan për Hotin, por VV dikur me vezë e kishte sulmuar edhe Isa Mustafën
Sot, me vezë u sulmua zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Lajme
Ndonëse zyrtarisht asnjëri grup politik nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë, zyrtarë të shumtë të Vetëvendosjes u ngutën të reagojnë të parët dhe ashpër kundër kësaj ngjarjeje, shkruan lajmi.net.
Madje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tja se këto janë veprime të mllefit të opozitës me rezultatin e 6 tetorit.
“Veprimet e dirigjuara prej marazit të ngelur nga 6 tetori e 3 shkurti nuk e shqetësojnë qeverinë, e cila po punon e angazhohet për të mirën e popullit e të shtetit, dhe mbështetet gjerësisht nga qytetarët. Zv.kryeministrit Hoti i uroj forcë e punë të mbarë, opozitës i dëshiroj frymë bashkëpunuese, edhe kur e luftojmë korrupsionin e krimin, edhe kur e mbrojmë shtetin e kombin”, tha ai.
Por janë vet zyrtarët e tanishëm të VV-së, që në kohën sa ishin në opozitë e kishin sulmuar tanimë partnerin e tyre të koalicionit, Isa Mustafën.
Mustafa ishte sulmuar me vezë gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, ku po raportonte për marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Me të ndodhur kjo, kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Kadri Veseli kishte kërkuar intervenimin e sigurimit të Kuvendit të Kosovës.
Madje, në mesin e atyre që kishin hedhur vezë mbi Mustafën ishte edhe ministri i tanishëm i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, dhe ministrja aktuale e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. /Lajmi.net/