Sot i ngurtë, nesër i ngurtë

Ismajl Kurteshi qartëson nofkën “njeri i ngurtë”. Ai thotë se kjo i ka mbetur në kohën kur si Drejtor i Arsimit në Gjilan u rezistonte ndërhyrjeve të Qemajl Mustafës. Premton edhe më tej ngurtësi.

Lajme

22/10/2013 10:45

Ismajl Kurteshi e ka dhënë një shpjegim pse në Gjilan njihet si “njeri i ngurtë”.

Nëse e ka si nofkë, kjo i ka mbetur nga koha kur ai udhëhiqte Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjilanin e drejtuar nga Qemajl Mustafa. Sipas Kurteshit, ai u ka rezistuar ndërhyrjeve të shumta të Mustafës.

Tani Kurteshi është Kandidat i Vetëvendosje’s për Kryetar të Komunës, sfidues i drejtpërdrejtë i Mustafës në këtë post.

“Për sa kohë që ne ishim drejtorë të arsimit, nuk lejonim asnjë intervenim dhe as ato intervenime që provonte t’i bënte Qemajl Mustafa si kryetar komune, nuk i lejonim në asnjë mënyrë. I kemi rezistuar atij dhe secilit që ka dashur të intervenojë jashtëligjshëm”.

“Na quanin ‘person të ngurtë’, sepse vetëm donim të zbatohej ligji dhe rregulloret në fuqi. Le të na quajnë edhe sot ‘të ngurtë’, sepse nuk jemi ne elastikë, që do të nënkuptonte të lakoheshim nga presionet e jashtme”.

“Do të vazhdojmë të jemi të ngurtë, në këtë kuptim, edhe gjatë mandatit si kryetar të komunës së Gjilanit, pasi që për ne kjo do të thoshte zbatim me përpikëri të ligjit, konkursit publik dhe rregulloreve në fuqi” , ka thënë Kurteshi në një tubim me mbi 100 studentë gjilanas.

“Ne do të dyfishojmë bursat studentore shumë shpejtë pas marrjes së besimit të qytetarëve të komunës së Gjilanit”.

“Do të investojmë në transportin publik, ku do t’u lehtësohet qarkullimi dhe lëvizjet për studentët prej një lagjeje në lagjen tjetër. Do të angazhohemi që cilësia në arsimin parafillor, fillor e të mesëm, të ndryshojë për të mirë”, është shprehur Ismajl Kurteshi.

Bashkëbisedimit të tij me studentë i është bashkangjitur edhe mysafiri nga Prishtina, Fisnik Ismajli i cili u ka dhënë studentëve gjilanas një porosi.

“Kujtojeni studentin e viteve të ’68-ta, të vitit ’81, të vitit ’89, e deri te profili i studentit si Albin Kurti në protestat e organizuara nga Unioni Studentor, para se të zhvillohej lufta e UÇK-së. Është derdhur shumë gjak për lirinë e Kosovës dhe ne duhet domosdoshmërisht ta ndryshojmë arsimin dhe ta kemi arsimin sa më cilësor”.

“Është kohë tjetër, ku duhet të angazhohemi, si dikur që studentët luftonin padrejtësitë që vinin nga regjimi i atëhershëm dhe i huaj, ashtu sot duhet të jemi të indinjuar me pushtetin që shtyp, ndonëse vjen prej njerëzve tonë. Duhet të mësohemi të luftojmë padrejtësitë dhe t’i largojmë hajnat nga qeverisja”, ka thënë Fisnik Ismajli.