Sot hapet konsullata e Kosovës në Iowa

Në qendër të qytetit Des Moines të Iowas, SHBA, sot do të hapet konsullata e Republikës së Kosovës, zyra e parë e huaj diplomatike në historinë e këtij shteti.

Lajme

29/01/2016 14:13

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të përfaqësojë shtetin kosovar në hapjen e konsullatës së Kosovës në Iowa. Në radhët e nikoqirëve do të jenë senatorja nga shteti i Iowas, Joni Kay Ernst, gurvernatori i Iowas, Terry Edëard Branstad, prefekti i Des Moines, Thomas Michael Franklin Cownie dhe Drejtori i Zyrës për Çështje të Evropës Jugore dhe Qendrore, Thomas K. Yazdgerdi, thuhet në një njoftim të MPJ.

Vlen të theksohet interesimi i lartë për pjesëmarrje në këtë ceremoni, ku pritet të jenë të pranishëm mbi njëqind personalitete nga komuniteti i biznesit dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm.

Kjo zyrë, përmes shumëllojshmërisë së shërbimeve që pritet të ofrojë, do të kontribuojë në zgjerimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Iowas, duke ofruar mundësi për partneritete më të ngushta, por edhe në promovimin e tyre në ekonomi dhe në turizëm.

Gjithashtu, Kosova dhe Iowa kanë lidhje të ngushta civile dhe ushtarake që datojnë nga viti 2011, kur Garda Nacionale e Iowas lidhi bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërsa një marrëveshje e partneritetit të ndërsjellë, ajo e binjakëzimit mes Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowas, u nënshkrua mes guvernatorit të Iowas dhe Presidentes së Kosovës më 2013.