Sot e rrëzuan, por shumë zyrtarë të VV-së e kishin tërhequr Trustin kur e kishin mundësinë

Sot gjatë ditës, pas debateve të shumta, në Kuvendin e Kosovës u hodh në votim Projektligji për Tërheqjen e Mjeteve nga Trusti.

Lajme

23/06/2022 17:14

Ky Projektligj, pas votimit ka dështuar të aprovohet duke marrë 44 vota pro, 57  kundër dhe 1 abstenim, shkruan lajmi.net.

Pro kësaj ideje ishte opozita, ndërsa pozita votoi kundër, ide për të cilën kjo e fundit, vazhdimisht ka qenë e zëshme duke e kundërshtuar.

Pavarësisht se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, doli kundër idesë për një tjetër tërheqje të parave nga Trusti, anëtarët e saj, ishin ndër të shumtët që kishin shfrytëzuar mundësinë për tërheqjen e 10% të parave në Trust, gjë që ishte lejuar gjatë qeverisjes së Avdullah Hotit.

Pra, edhe pse si qeveritar votuan kundër, në vitin 2021, hiç më pak se 7 zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Listës GUXO kanë tërhequr mijëra euro mjete nga Trust.

Në këtë listë është edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka tërhequr 1,054 euro nga Trusti Pensional.

Të drejtën për tërheqje nga Trusti e kanë shfrytëzuar edhe kolegë të saj nga partia e nga qeveria. Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i ka tërhequr plot 2,658 euro nga Trusti.

Më pak kursime në Trust ka pasur Faton Peci i Listës GUXO, por që kjo nuk e ka ndalur që ta shfrytëzojë rastin dhe t’i marrë ato pas miratimit të ligjit.

Para nga Trusti kanë marrë edhe Arijeta Rexhepi (1000 euro), Adnan Rrustemi i cili ka tërhequr 2084 euro të tijat dhe 844 të gruas, Visar Korenica ka tërhequr 1,762 euro dhe Jeta Statovci 480 euro.

Së paku kjo është pasqyra e zyrtarëve të lartë që kanë tërhequr para nga Trusti vitin e kaluar, të deklaruara në AKK gjatë deklarimit vjetor të pasurisë. /Lajmi.net/