Sot e përfaqësoi Kosovën me fusnotë, por çfarë thoshte Kurti për këtë çështje vite më parë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e katërt që u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, përfaqësoi Kosovën me fusnotë.

Lajme

07/12/2021 15:36

Mirëpo, vite më parë, gjatë kohës sa Vetëvendosje po shërbente si opozitë në Kuvendin e Kosovës, Kurti në këtë institucion kishte kritika për fusnotën, shkruan lajmi.net.

“Plani 14 pikësh për veriun që e paraqiti shkurtimisht visari as nuk mund ta zbatojë as nuk mund ta zbatojë kjo qeveri. Sepse kjo qeveri është qeveri e improvizimeve dhe jo e planeve. E pranoi fusnotën që na e konteston shtetësinë dhe e hoqi fjalën republikë nga rrëfimi i shtetit”, deklaronte ai.

Megjithatë, gjatë ditës së sotme Kurti është parë duke e përfaqësuar Kosovën me fusnotë përgjatë një vizite në Bruksel.

Një gjë e tillë mori reagime dhe kritika të shumta. Njohësit e çështjeve politike kritikuan një gjë të tillë dhe thanë se Kurti ua ka borxh një sqarim qytetarëve të Kosovës për këtë përfaqësim.

“Këtë diskurs z. Kurti në kthimin e tij në Kosovë ia ka borxh opinionit publik që ta sqarojë punën e pranimin e përfaqësimit të Kosovës me fusnotë. Ua ka borxh në radhë të parë atyre votuesve të 14 shkurti, gati 51% të votuesve, pastaj të gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Rasim Alija, njohës i çështjeve politike, për lajmi.net.

Kurti përgjatë një konference të mbajtur pas mbledhjes së katërt të Stabilizim-Asociimit, pati një përplasje me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, mbi çështjen e Asociacionit të Komunave.

“Ajo çka u tha gjatë këtij takimi është se krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe është pjesë e marrëveshjeve të Brukselit, kjo marrëveshje është e lidhur në mirëbesim nga palët e përfshira. Sigurisht që presim që të gjitha marrëveshjet të zbatohen nga dy palët”, deklaroi Borrell.

““Janë 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Dy të tretat nuk janë zbatuar nga Serbia, por gjithmonë, Serbia kërkon zbatimin e vetëm njërws prej tyre, e cila nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Është koha të kemi një dialog kur qytetarët janë përfituesit dhe jo politikanët. Kemi nevojë për një karakter diplomatik të dialogut që njerëzit të përfitojnë nga ai”, u kundërvy Kurti.

““Nuk pajtohem me juve që Gjykata Kushtetuese e bënë të pamundur implementimin e Asociacionit. Më vjen keq kryeministër, por më duhet t’iu kërkoj vazhdimisht implementimin e kësaj marrëveshje”, kundër-replikoi Borrell. /Lajmi.net/