Sot bëhen 16 vjet nga vrasja e 106 civilëve shqiptarë në fshatin Pastasel

Në fshatin Pastasel të Rahovecit, 16 vjet më parë u vranë 106 civilë shqiptarë nga forcat policore dhe paramilitare serbe, në mesin e të cilëve ishin edhe shumë të ikur nga fshatrat Kaznik, Pallushë, Guri i Kuq, Kramovik, Çifllak, Zatriq dhe nga Gremniku i Klinës.

Lajme

31/03/2015 09:01

Më 31 mars të vitit 1999, pamjet që dolën nga masakra që u zhvillua në këtë fshat la të stepur mbarë opinionin ndërkombëtar.

Vetëm një ditë para masakrës, Pastaseli ishte mbushur me dhjetëra mijëra qytetarë, që kishin ikur nga shtëpitë e tyre, por as aty nuk ishin të sigurt, pasi që forcat barbare serbe vranë e masakruan edhe gra, pleq e fëmijë.

Përpara se të masakroheshin, policia serbe plaçkiti gjithçka të vlefshme, para dhe ari, nga civilët, dhe pastaj i ndau në grupe, i rreshtoi 106 veta, burra, gra, të moshuar dhe fëmijë dhe i pushkatuan. Dymbëdhjetë të tjerë që ishin në rreshtin e pushkatimit, shpëtuan dhe dëshmuan më pas për masakrën që ishte ndër më të mëdhatë që u bë ndaj civilëve gjatë luftës në Kosovë.