Sondazhi i CNN: 7 nga 10 amerikanë thonë se ekonomia po ecën mirë

Presidenti amerikan Donald Trump, pavarësisht kritikave që merr herë pas herë, duket se ka një mbështetje të mirë nga publiku sa i takon ecurisë të ekonomisë amerikane nën pushtetin e tij.

Bota

19/03/2019 16:29

Nga një sondazh i kryer nga CNN, rezulton se 7 nga 10 amerikanë besojnë se ekonomia e SHBA-ve është në një gjendje të mirë. Pikërisht ky tregues mund të bëjë që Trump të fitojë një tjetër mandat për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë. Në tërësi, 71 % e të anketuarve shprehen se ekonomia po ecën mirë dhe ky është vlerësimi më pozitiv në popullin e Amerikës për ekonominë kombëtare që nga viti 2001.

Shumica e të pyeturve shprehen se miratojnë politikat e Donald Trump sa i përket ekonomisë, kurse 51 për qind janë kundër politikave të tij në përgjithësi. Në pyetjen se nëse do të dëshironin që Donald Trump të ishte prapë president për një mandat të dytë, vetëm 42 për qind e amerikanëve e mbështesin shefin aktual të Shtëpisë së Bardhë për ta pasur një shans të dytë. Kjo është mbështetja më e ulët në popull që një president amerikan ka pasur, pas Bill Clinton në vitin 1995 (44 për qind dhe presidentit Ronald Regan në vitin 1983 (41 për qind). Të dy presidentët e përmendur u rizgjodhën për një mandat të dytë.

Përpos ekonomisë, presidenti Trump ka rënie popullore në aspekte të tjera. Sa i takon politikave të jashtme të vendit, vetëm 40 për qind e amerikanëve i miratojnë ato. Ndërsa ka edhe kritika për takimet me liderin e Koresë së Veriut, ku vetëm 4 nga 10 amerikanë thonë se presidenti i tyre duhet të takojë liderin suprem koreano-verior.

Sa i takon  publikimit të propozimit të buxhetit të Shtëpisë së Bardhë 2020, i cili projekton deficite të mëdha dhe rritje të borxhit publik, vlerësimet e Trump për trajtimin e buxhetit janë thellësisht negative: 56% nuk ​​miratojnë ndërsa vetëm 34% miratojnë. Presidenti aktual i Amerikës gjithashtu ka pak mbështetje të popullit edhe në trajtimin që iu bën emigrantëve. Në përgjithësi, 58% nuk ​​miratojnë dhe 39% miratojnë politikat migratore të tij. Amerikanët thonë se në tërësi janë më mirë aktualisht ekonomikisht nga se ishin, mirëpo ata shprehin skepticizëm nëse politikat ekonomike të Donald Trump kanë një jetëgjatësi.