Somali, 12 civilë të vrarë nga militantët e grupit islamik

Më së paku 12 civilë kanë gjetur vdekjen sot në një sulm vetëvrasës në Somali, sulm që dyshohet se është bërë nga ekstremistët islamikë, pas vrasjes së liderit të al-Shabab, nga sulmet ajrore të SHBA-së, njoftuan zyrtarë policorë.

Bota

08/09/2014 19:39

Sulmi ka ndodhur afër Elasha Biyaha, ka thënë Abdiqadir Mohamed Nor, guvernator në Shabellin e ulët të Somalisë, transmeton REL.

Personi që ka bërë sulmin vetëvrasës ka vendosur mjete shpërthyese në makinë, ngjitas një kolone të forcave të Bashkimit Afrikan, i cili ishte afër dy autobusëve, ka thënë një zyrtar policor, Hasan Ali.

Por pasi që është bërë  sulmi i parë, një tjetër bombë ka shpërthyer kur një sulmues i dytë vetëvrasës ka përplasur makinën e tij me një kolonë, brenda së cilës ishte Abdifatah Shaweye, komandanti i inteligjencës së Mogadishit.

Shaweye ka marrë ‘plagë të rënda’ ndërsa është dërguar për në spital në Mogadishu.

Njoftohet se në shpërthimin e dytë nuk ka pasur viktima civile.

Njoftohet se Al-Shabab ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Qeveria e Somalisë ka paralajmëruar gjatë vikendit se mund të ketë sulme të papritura pasi që është vrarë lideri i Al-Shabab, Ahmed Abdi Godane, nga forcat amerikane.