Solskjaer qartëson gjithçka: Pogba është i lumtur këtu, nuk transferohet

Ole Gunnar Solskjaer ka qartësuar situatën e Paul Pogba, duke hedhur poshtë gjasat që lojtari të largohet nga ‘Old Trafford’.

Sport

22/09/2019 08:17

Pogba ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë verës, me emrin e tij që lidhej me një kalim të mundshëm tek skuadra e Real Madrid, skuadër e cila është akoma e interesuar për shërbimet e tij.

Megjithatë, sipas Solskjaer, Pogba nuk do të largohet nga Manchester United edhe nëse Real Madrid rikthen interesimin për të, kur merkatoja të hapet në janar.

“Nuk i dëgjoj fjalët e presidentit të Real Madrid. Paul po punon fort këtu dhe është i përkushtuar tek Manchester United” ka thënë Solskjaer, transmeton lajmi.net.

“Ai ka punuar si i çmendur për tu rikthyer në top formë, pasi ai dëshiron të luajë për ne dhe dëshiron t’i ndihmojë shokët e skuadrës” ka shtuar trajneri i ‘Djajve të kuq’.

“Nuk jam i shqetësuar dhe nuk do të shqetësohem për të ardhmen e Pogba. Nëse gjithçka fillon përsëri në janar, atëherë prapë nuk kam shqetësime. Do të jetojmë me spekulimet. Paul nuk shkon askund. Ai është i lumtur këtu” ka thënë ndër të tjerash Solskjaer.

Pogba është pjesë e spekulimeve të merkatos që nga viti 2016, kur kthehej tek Manchester nga Juventus. /Lajmi.net/