Solemnisht nga Kuvendi

Kryeministri Hashim Thaçi thotë se më 17 Shkurt 2008 u finalizua ëndrra e shumë gjeneratave për liri e pavarësi. Ai falënderoi shtetet perëndimore për kontributin e tyre dhe siguroi ato se në Kosovë kanë gjetur një mik dhe mirënjohës besnik të përhershme.

Lajme

17/02/2014 11:15

Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot në një seancë solemne për të shënuar gjashtë vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se pikërisht në këtë sallë janë realizuar aspiratat e gjeneratave të tëra për liri dhe pavarësi.

Ai kujtoi me respekt të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës.

“Jemi mbledhur sot këtu së bashku për të festuar ditëlindjen e Kosovës, ditëlindjen e shtetit tonë, dhe unë dëshirojë që të ju përcjell ju dhe çdo qytetari të Kosovës, urimet më të përzemërta për përvjetorin e gjashtë të Kosovës”.

“Në këtë sallë, gjashtë vjet më parë, ne bashkërisht kemi finalizuar aspiratat dhe përpjekjet e shumë gjeneratave që na kanë paraprirë në rrugën tonë të gjatë të lirisë dhe pavarësisë”.

“Ne kemi vënë në jetë ëndrrat të një populli të tërë për liri, duke finalizuar një luftë të gjatë të mundimshme për pavarësi”.

“Prandaj sot kujtojmë me respekt të madh luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kujtojmë dhe respektojmë sakrificën e gjithë qytetarëve të Kosovës për liri, kudo që ishin, në Kosovë dhe diasporë”.

“Kujtojmë punën e vazhdueshme të Presidentit Rugova. Respektojmë heroizmin e pashoq të Komandantit legjendar Adem Jashari, Zahir Pajazit, Shkelzen dhe Luan Haradinaj, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Agim Ramadani, Sali Çeku, Ilaz Kodra dhe shumë komandantëve që e vulosën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

“Në këtë ditë të shenjtë unë bashkë me ju dhe të gjithë qytetarët e Kosovës shprehi nderimet dhe mirënjohjen më të lartë, përkulemi me nder përpara dëshmorëve që e dhanë jetën, për ta mundësuar këtë ditë të lirisë, të pavarësisë që ne gëzojmë sot”.

“Kjo është padyshim një ditë gëzimi dhe lumturie për ne, por gjatë festimit të pavarësisë ne ndjejmë dhimbje gjithashtu në zemrat tona, për vëllezërit dhe motrat tona të rënë apo të zhdukur, që kanë punuar për këtë realitet të sotëm që po e jetojmë”.

“Ne kemi dëshmuar se dimë të kthejmë dhimbjen në forcë. Nuk jemi zhytur në depresion prej pikëllimit, por kemi ditur të ngrihemi në këmbë dhe të marrim vet në duar të ardhmen e vendit tonë”.

Kryeministri Hashim Thaçi nuk harroi të falënderoi të gjitha shtetet perëndimore që ndihmuan në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai tha se këto shtete në Kosovë kanë gjetur një mik me një besnikëri të pakushtëzuar”.

“Shpreh mirënjohjen e thellë dhe dua të falënderojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën, Italinë, dhe të gjitha shtetet aleate perëndimore, të cilat besuan në kauzën tonë të drejtë dhe na ndihmuan për të siguruar lirinë dhe pavarësinë”.

“Një mirënjohje dhe falënderim shkon për shtetin shqiptar, për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

“Unë dua t’i sigurojë aleatët tanë se në Kosovë e kanë gjetur një mik, një mirënjohës dhe një besnikëri të përhershme dhe të pakushtëzuar”.

Hashim Thaçi tha se Kosovën e presin shumë sfida përpara, por ai është i bindur se së bashku, këto sfida mund të kalohen.

“Shumë sfida të mëdha ngelin para nesh dhe ne të gjithë së bashku duhet të jemi të përgatitur për të bërë përpjekjet dhe sakrificat e duhura për t’i kaluar ato. Megjithatë, unë jam i bindur se do t’i kapërcejmë këto sfida, pasi që kemi dëshmuar se kemi kapërcyer sfida edhe më të mëdha, në një të kaluar jo dhe aq të largët”.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj”, tha në fund të fjalimit të tij Kryeministri Hashim Thaçi.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi tha se Kosova gjashtë vjet pas shpalljes si shtet është konfirmuar si vend i transformuar dhe vend i zhvillimit. Sipas tij, në vend është “vendosur rendi kushtetues që bazohet në parimet e lirisë të paqes dhe demokracisë”.

Krasniqi tha se në Kosovë është vendosur rendi kushtetues, e cila bazohet në parimet e rendit paqes dhe demokracisë.

“Shpallja e pavarësisë ishte akt historik të cilit i ka paraprirë një procesi të gjatë çlirimtar, i mbuluar me lavdi me gjak e sakrifica të panumërta, i ka paraprirë një luftë titanike për jetë a vdekje që simbolizohet me emrin emblemë të Komandantit legjendar të UÇK`së, Adem Jashari”.

“Drejtësia e çështjes së Kosovës, mbrojtja e vlerave demokratike botërore dhe të drejtave njerëzore, e bëri një forcë të bashkuar të miqve tanë në krye me SHBA`të, me BE`në dhe NATO`së, e cila u gjet përkrah Kosovës së sfilitur në çastet më të rënda historike” .

“Ne këtë ditë solemne ne u drejtojmë atyre mirënjohjen tonë të thellë bashkë me zotimin e vendosur për miqësinë dhe bashkëpunimin tonë të përkushtuar”.

“Gjashtë vjet pavarësi, Kosovën e kanë konfirmuar si vend i transformuar dhe i zhvillimit”.

“Kosova e pavarur për gjashtë vjet rresht nuk e ka rrezikuar askënd, sepse ajo si projekt dhe si realitet është mbështetur dhe themeluar mbi vlera të larta të demokracisë, moderne amerikane dhe europiane”.

“Sot atdhe i qytetarëve të barabartë si faktor kredibil paqe qëndrues dhe bashkëpunues me demokraci përreth dhe kudo në botë”.

“Në Kosovë është vendosur rendi kushtetues që bazohet në parimet e lirisë të paqes dhe demokracisë”.

“Vendi ynë ka hyrë tashmë në projektin e madh dhe historik të integrimeve euroatlantike”

“Urime pavarësia”.