Snowden i nominuar për Çmimin Sakharov

Janë publikuar të nominuarit për çmimin e Parlamentit Evropian “Sakharov”. Në mesin e të nominuarve është edhe spiuni amerikan Edward Snowden. Adem Demaçi dhe Ibrahim Rugova kanë fituar këtë çmim në vitet 1991 dhe 1998.

Bota

17/09/2013 15:46

Parlamenti Europian ka publikuar të nominuarit për çmimin e sivjetshëm “Sakharov”.

Në mesin e të nominuarve janë edhe emrat e spiunit amerikan Edward Snowden dhe disidentit rus Mikhail Khodorkovsky.

Komiteti për Punë të Jashtme dhe ai për Zhvillim, si dhe Nën-Komiteti për të Drejta të Njeriut do ta mbajnë një takim tjetër më 30 shtator për të votuar listën e ngushtë prej tre finalistëve. Laureati do të zgjidhet nga Konferenca e Presidentëve të Parlamentit më 10 tetor në Strazburg më 10 tetor dhe do të ftohet në ceremoninë e ndarjes së çmimit më 10 nëntor në Strazburg.

Në mesin e fituesve të këtij çmimi janë edhe dy kosovarë: ish i burgosuri politik Adem Demaçi që e fitoi në vitin 1991 dhe ish Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në vitin 1998.

Çmimi Sakharov jepet që nga viti 1988, ndërsa laureat i parë i tij ka qenë Nelson Mandela.

Të nominuarit për këtë vit janë:

Malala Yousafzai – e nominuar nga 3 grupe politike;

Ajo ishte 11 vjeçe kur në vitin 2009, duke shkruar një blog, filloi luftën për të arsimimin e gruas, lirinë dhe vetëvendosjen në rajonin Swat të Pakistanit, ku regjimi taliban i ndalonte gratë të ndjeknin shkollën. Brenda një kohe të shkurtër ajo u bë zëri kryesor në denoncimin e këtyre abuzimeve.

Edward Snowden – i nominuar nga Grupi i të Gjelbërve dhe Grupi GUE;

Eksperti i kompjutorëve punoi si kontraktues për Agjencinë Amerikane të Sigurimit Kombëtar (NSA) dhe publikoi detaje të spiunimit masiv. Ai është akuzuar në SHBA për spiunim dhe tani jeton përkohësisht në Moskë.

Reeyot Alemu and Eskinder Nega – të nominuar nga Ana Maria Gomes (S&D, PT) dhe 40 deputetë të tjerë;

Gazetarët nga Etiopia po vuajnë dënimin me akuza për terrorizëm. Alemu qe dënuar në janar të vitit 2012 pasi shkroi kolumne kritike për qeverinë ndërsa Nega u dënua gjashtë muaj më vonë, pasi kritikoi prokurorinë për gazetarët dhe disidentët dhe shkroi se si një demokraci e ngjashme me Pranverën Arabe mund të ngritet edhe në Etiopi.

Ales Bialatski, Eduard Lobau and Mykola Statkevich, që përfaqësojnë të gjithë të burgosurit politikë të Bjellorusisë- të nominuar nga Marek Migalski (ECR, PL), Filip Kaczmarek (EPP, PL), Jacek Protasiewicz (EPP, PL) dhe 39 deputetë të tjerë;

Kandidati presidencial nga Bjellorusia Statkevitch, aktivisti i “Malady Front” Lobau, Presidenti i Qendrës për të Drejta të Njeriut Mialitski dhe protestuesit e tjerë kanë qenë në burg që nga dhjetori i vitit 2010 kur protestuan në Minsk kundër zgjedhjeve të vjedhura të cilat e konfirmuan Presidentin Aleksandar Lukashenko në këtë post.

Mikhail Khodorkovsky – i nominuar nga Werner Schulz (Të Gjelbrit/EFA, DE) dhe 40 deputetë të tjerë;

Biznesmeni rus Khodorkovsky u arrestua më 25 tetor 2003, pasi i bëri thirrje Presidentit Putin të japë llogari për korrupsionin sistematik dhe pasi evokoi për një sistem të pavarur të drejtësisë dhe respektim të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Ai u akuzua për mashtrim dhe u dënua në maj të vitit 2005 me nëntë vite burg. Në dhjetor të vitit 2010 ai u ngarkua me akuza tjera dhe burgimi i tij u zgjat deri më 2017.

Protestuesit “Standing Man”– të nominuar nga Marietje Schaake (ALDE, NL) dhe 40 deputetë të tjerë;

Erdem Gunduz ishte njeriu i parë që qëndroi në protestat në sheshin Taksim të Stambollit, të cilat filluan më 17 qershor. Më vonë atij iu bashkuan të tjerë, duke e bërë këtë formë të protestës një simbol për lëvizjen paqësore për shoqërinë liberale që respekton të drejtat dhe liritë e njeriut.

CNN Freedom Project: Fund Ditëve të Sllavërisë – i nominuar nga Boris Zala (S&D, SK) dhe 40 deputetë të tjerë;

Kjo fushatë mediale globale kundër skllavërisë, trafikimit me qenie njerëzore dhe punësimit të dhunshëm të fëmijëve ka bërë më shumë se 400 raporte që nga viti 2011 duke theksuar vuajtjet e viktimave nga Mauritania në Indi dhe Filipine.