‘Snajperisti’ Meha, i gatshëm të gjuajë

Alban Meha ndihet me fat që do të jetë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë në ndeshjen e madhe të së enjtes kundër Serbisë. Mesfushori fantastik dëshiron që formës së mirë të tij t’ia shohë hairin ekipi kuqezi në përpjekjet e fundit për t’u kualifikuar në “Euro 2016”. Ai shpreson që ta gjunjëzojë Serbinë nga gjuajtja e lirë.

Sport

06/10/2015 14:55

Alban Meha ndihet shumë i lumtur për faktin që Gianni De Biasi e ftoi në Kombëtaren Shqiptare për ndeshjen e madhe të 8 tetorit kundër Serbisë, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian “Franca 2016”.

Për mesfushorin fantastik nga Kosova kjo është njëra prej ndeshjeve më të rëndësishme në karrierën e tij, shkaku i shumë arsyeve mbi të gjitha për shkak që me një fitore eventuale Shqipëria do të kualifikohej për herë të parë në histori në një Kampionat Evropian.

Specialisti i gjuajtjeve të liria, i cili ndryshe njihet si “Snajperist”, nuk ishe pjesë e Shqipërisë në dy ndeshjet e kaluara ndaj Portugalisë e Danimarkës.

Por, paraqitjet e shkëlqyeshme që i pati kohëve të fundit në Turqi me Konyasporin bënë që përzgjedhësi i kuqezinjve ta inkuadrojë sërish në planet e tij, madje në dy ndeshjet vendimtare që Shqipëria do t’i zhvillojë ndaj Serbisë të enjten dhe kundër Armenisë të hënën.

“Jam gati dhe jam në formë shumë të mirë”, thotë për “Zërin” Meha, i cili shpreson që ta ndihmojë ekipin kuqezi që ta shkruajë historinë.

Meha thotë se i takon Gianni De Biasit për të vendosur rreth formacionit dhe nëse e fiton besimin e italianit, ai premton se do të japë gjithçka nga vetja që t’ia shpaguajë besimin e mbi të gjitha t’i bëjë krenarë gjithë shqiptarët.

“Sigurisht se kam dëshirë të shënoj gol, por më e rëndësishme është Kombëtarja shqiptare. E rëndësishme për ne si skuadër dhe si shqiptarë është që të nxjerrim rezultate të favorshme në këto dy ndeshjet e fundit ndaj Serbisë dhe Armenisë, në mënyrë që ta realizojmë ëndrrën e kamotshme”, ka theksuar ish-futbollisti i Paderbornit, i cili që nga viti 2012 është pjesë e Shqipërisë për të cilën i ka realizuar dy gola.

 Meha mendon për miliona shqiptarë

Shqiptarët nuk duan asgjë më shumë sesa një fitore ndaj Serbisë. Jo vetëm për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian, por triumfi ndaj ekipit serb ka rëndësi të veçantë për secilin shqiptar. E njëjta vlen edhe për palën tjetër.

E vërteta është se për të dyja vendet dhe të dy popujt kjo ndeshje mes tyre është më shumë sesa një lojë e futbollit, ani pse kësaj radhe emocionet nuk po shfaqen nga asnjëra palë, por ato më së miri u panë në ndeshjen e parë në Beograd. Origjinën e krejt kësaj e dinë të gjithë.

Alban Meha është i vetëdijshëm për këtë, andaj fantastiku shqiptar shpreson që me një fitore ndaj Serbisë, skuadra kuqezi t’i bëjë krenarë miliona shqiptarë.

“Synimi madhor është fitorja. Jemi të bashkuar rreth arritjes së këtij qëllimi final”, thekson Meha, duke kërkuar nga tifozët shqiptarë maturi e pjekuri.

“Askush të mos e harrojë se më tepër se fitorja dhe kualifikimi në Evropian nuk na duhet asgjë tjetër, prandaj le të bëjmë më të mirën tonë, që zemrat e miliona shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit të rrahin fort, fort si asnjëherë tjetër”, ka theksuar Meha.

Beson në kualifikim

Portugalia thuajse e ka të sigurt kualifikimin nga Grupi I, derisa Danimarka e Shqipëria janë në luftë të rreptë për të shkuar në Kampionat Evropian nga pozita e dytë. Danezët kanë një pikë më shumë dhe do ta zhvillojnë veç edhe një lojë, si mysafirë të Portugalisë.

Shumëçka varet nga ky takim, por Shqipërisë i mjafton një fitore në dy ndeshjet e fundit për ta përmbysur Danimarkën, nëse kjo e fundit nuk fiton në Lisbonë. “Ne kemi shanse shumë të mira dhe besoj fuqishëm se do të shkojmë në Kampionatin Evropian”, thotë Meha për Zërin.

Por, nëse Danimarka fiton në Portugali dhe Shqipëria nuk arrin t’i nxjerrë gjashtë pikë në dy ndeshjet e fundit, atëherë kuqezinjtë do ta kenë edhe një shans, pasi kualifikimin do ta kërkojnë përmes “Play-Off”-it, por sigurisht se kjo rrugë nuk siguron biletë për “Franca 2016”.