Smaka: Hasani duhet ‘të zhvishet’ nga imuniteti
Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërprerë hetimet ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Ky i fundit dyshohej për vepër penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar – nënshkrimin e gjyqtarit amerikan të Gjykatës Kushtetuese, Robert Carolan.

Lajme
Ndërprerjen e hetimeve ndaj ish –kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, njohësit e çështjeve juridike po e shohin si ndërhyrje të politikës.
Riza Smaka, në një prononcim për Gazetën Monitor është shprehur se duhet vazhduar hetimet ndaj Enver Hasanit. Sipas tij ndërhyrja e politikës në sistemin gjyqësor e ka shkatërruar atë.
“Ndërhyrja e politikës e ka shkatërruar të gjithë sistemin gjyqësor. Gjendja është alarmante në vendin tonë. Prokuroria nëse do të jetë prokurori, ajo ka të drejtë ankese dhe Gjykata e Apelit do të duhej ta rishikonte çështjen. Nëse ka ankesë natyrisht që Gjykata e Apelit do të duhej ta shqyrtojë. Në këtë rast, për këtë vendim ka mjaft instrumente juridike për të vepruar”, ka thënë Smaka.
Smaka theksoi se Gjykata Kushtetuese po bënë shkelje sa i përket identitetit të deputetëve. Sipas tij gjykata do të duhej ta mbronte edhe imunitetin e deputetëve.
“Dihet se gjykata kushtetuese esencialisht ua ka mohua imunitetin deputetëve. E kush meriton më shumë se sa deputetët për ta pasur imunitet, askush. Prandaj mbetet shumë e diskutueshme çështja e imuniteitit të deputetëve”, ka thënë Smaka.
“Enveri ishte kryetar, por tash ai nuk është është kryetar. Dihet se imuniteti është gjatë funksionimit të pushtetit. Kjo është çështje shumë brengosëse. Politike qeveritare është ajo që tash po e shkel kushtetutën, atij nuk i skuqet fëtyra as para gjykatës së historisë”, ka shtuar ai.
Kujtojmë që një panel i Gjykatës Themelore të Prishtinës-Departamenti për Krime të Rënda, ka gjetur, në aktvendimin e vetë, të cilin e posedon Klan Kosova, se kërkesa e prokurorisë Speciale për “zbatimin e mundësisë së hetimit të vecantë, është e pabazuar dhe si e tillë nuk mund të pranohet dhe rrjedhimisht refuzohet, për shkak se çështja në fjalë ka të bëjë me imunitet funksional të Kryetarit dhe Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetueses të Republikës së Kosovës”.
Aktgjykimi thotë se “procedimet kundër Enver Hasanit dhe Arta Rama-Hajrizit nuk kanë mund të inicohen fare dhe nuk duhet të vazhdojnë për shkak të imunitetit të tyre funksional”./GazetaMonitor