Slovan e shkarkon trajnerin serb që refuzoi të paraqitej kundër Feronikelit

Slovan Bratislava e ka shkarkuar trajnerin e vet serb, Vladimir Radenkovic, e bashkë me të edhe bashkatdhetarin e tij, trajnerin fizik Srdjan Zirojevic, pas ndeshjes me Feronikelin, gjatë të cilës ata s’u paraqiten për shkaqe politike dhe me kërkesë të qeverisë së Serbisë.

Sport

27/07/2019 14:01

Klubi sllovak njoftoi të premten se i ka ndarë rrugët me dy trajnerët serbë pak ditë pas ndeshjes kundër Feronikelit në Ligën e Evropës, shkruan Gazeta Express.

“Dëshirojmë t’i falënderojmë trajnerin Vladimir Radenkovic dhe trajnerin e fitnesit Srdjan Zirojevic për shërbimet e tyre për klubin Slovan dhe t’iu urojmë atyre gjithë të mirat në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Bratislavës.

Bratislava triumfoi 2:1 ndaj Feronikelit falë golave nga Nono dhe Sporar në ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues për Ligën e Evropës në Narodny Futbalovy Stadion të mërkurën, por një gol nga Mendurim Hoti i jep shumë shpresa dhe gjasa kampionit të Kosovës për kalim tutje duke qenë se ndeshjen e kthimit do ta luajë në shtëpi.

Nikli e pret Bratislavën në Fadil Vokrri në Prishtinë javën e ardhshme dhe fitorja minimale do t’i mjaftonte për të kaluar në rundin e tretë kualifikues falë golit si mysafir.

Bratislava ka njoftuar se tani është në kërkim të një trajneri të ri, por skuadrën tani për tani do ta drejtojë ndihmës-trajneri Jan Kozak, i cili ishte në stol edhe në ndeshjen e parë ndaj Niklit.

Kozak u detyrua ta drejtojë vetë skuadrën, për shkak se trajneri serb Vladimir Radenkovic bashkë me dy futbollistë të tjerë serbë, Aleksandar Cavric dhe Dejan Drazic, nuk u paraqiten për Bratislavën duke e respektuar kërkesën jo sportive dhe politike të qeverisë së Serbisë për të mos luajtur ndaj një ekip nga Kosova.

Klubi sllovak na nisur ndryshimet në skuadër për shkak të pakënaqësive. Kozak e tha haptazi në konferencë për media pas ndeshjes me kampionin e Kosovës se gjërat nuk po shkonin mirë në klub.

Ai i akuzoi lojtarët e vet për mungesë respekti dhe disipline dhe për mungesë përkushtimi në fushë.

“Jemi në një krizë. Ne ishim më të mirë dhe 2:0 do të ishte rezultat i mirë për ne. Natyrisht se nuk është e lehtë të mbledhësh një ekip më shumë kombësi. Megjithatë, ekipi duhet të ketë zemër, lojtarët duhet ta respektojnë njëri-tjetrin”, pati thënë Kozak pas ndeshjes.

“Duhet përkushtim dhe dëshirë për të luajtur për klubin. Puna e lojtarëve është ta japin maksimumin në fushë ama sot nuk e pashë këtë”.

Slovan, klubi nga shteti i cili ngjashëm si Serbia s’e njeh Kosovën, përballet edhe me probleme me të mëdha, me gjasë pezullim dhe gjobë nga UEFA për thirrje politike të tifozëve.

Para ndeshjes të mërkurën, klubi sllovak u bëri thirrje tifozëve të vet të përmbahen nga çfarëdo thirrje politike në lidhje me kundërshtarin e vet kosovar. Lutja e Bratislavës hasi në veshë të shurdhër, megjithatë.

Gjatë ndeshjes në Narodny Futbalovy Stadion, të cilën Bratislava e fitoi 2:1, tifozët sllovakë brohoriten “UEFA është mafi, Kosova është Serbi”, si dhe e shpalosen një baner me mbishkrimin “Kosova është shtet i shenjtë serb”.

UEFA e kishte paralajmëruar fuqishëm Bratislavën se do të përballej me dënime të ashpra nëse në stadiumin e saj ndodhin thirrje politike. Prandaj, pritet që shtëpia e futbollit evropian ta dënojë rëndë klubin sllovak.

Bratislava rrezikon të gjobitet dhe të detyrohet të luajë pa tifozë në shtëpi në disa ndeshjet e ardhshme në Evropë.