Skuadra shqiptare ‘bëhet’ si Juventusi, ky është plani i Luciano Moggit

Luçiano Moxhi, për shkak të aktivitetit të tij të pasur dhe rezultativ në futbollin italian, ka edhe epitetin e “Mbretit të merkatove”. Pjesë e strategjisë së “Big Luçianos” në klubet ku ka punuar, kryesisht në epokën e tij te Juventusi, ka qenë rrëmbimi i lojtarëve më të mirë nga klubet vendase.

Sport

19/07/2017 17:58

Me këto lëvizje ai pasuronte cilësinë e ekipit që drejtonte, por njëherësh dobësonte edhe rivalët në kampionat. Më pas duke i promovuar ato shiteshin duke prodhuar të ardhura të mjaftueshme për klubin për të hyrë në merkato.

Ideja e parë e Partizanit të Luçiano Moxhit është që të ndiqet e njëjta strategji, duke afruar në ekip lojtarët vendas më të spikatur në kampionat, por duke vënë një kufi moshe. Shënjestra mbeten lojtarët e rinj dhe të perspektivës, kryesisht ata që bëjnë pjesë në kombëtaret e moshave dhe ekipin Shpresa.

Këtyre lojtarëve do t’u blihet kartoni nga klubet respektive ku bëjnë pjesë, me shpresën se ata do të kontribuojnë në realizimin e objektiva të Partizanit në kampionat, por edhe në mbushjen e arkës kur të jenë të gatshëm për tregun e huaj.

Gjatë drejtimit te Juve, Moxhi nuk ngurronte të shiste elementë të spikatur me çmime të larta, por njëherësh në klub hynin shumë të rinj, të cilët hidhnin bazat e së ardhmes.

Partizani i “Big Luçianos” pritet të operojë sipas skenarit “alla Juve”, por mbetet për të parë se sa i aftë do të jetë stafi italian për ta realizuar edhe në Shqipëri.

KRISTAL ABAZAJ- Në sezonin e parë, drejtuesit e kuq synojnë që të afrojnë dy-tri elemente të spikatura nga kampionati vendas përgjatë sezonit të fundit.

Për momentin mësohet një nga emrat që bënë pjesë në këtë projekt, Kristal Abazaj. 21-vjeçari elbasanas ka spikatur në sezonin e fundit me Luftëtarin dhe Partizani ka nisur punën që ta bëjë të tijin mesfushorin me tipare sulmuese. Mësohet se Partizani do të hyjë në bisedime direkte me klubin gjirokastrit për të blerë kartonin e Abazajt.

21-vjeçari gëzon edhe besimin e Moxhit, i cili në vijim pritet të zbardhë edhe piketat e tjera të tij në tregun vendas. Afrimet e të rinjve do të jenë të studiuara, në mënyrë që të mos prishen edhe balancat e ekipit, duke krijuar mbipopullim në reparte./PanoramaSport/