Skënderaj solidarizohet me Sami Lushtakun, nuk e feston pavarësinë

Komuna e Skënderajt nuk ka paraparë asnjë aktivitet festiv për nder të gjashtëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Arsye është mungesa e Kryetarit të Komunës, Sami Lushtaku i cili gjendet në paraburgim.

Lajme

16/02/2014 12:23

Një nga komunat që ka dhënë më së shumti për pavarësinë e Kosovës, sivjet do ta kalojë në qetësi përvjetorin e shpalljes së saj.

Me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë, Komuna e Skënderajt nuk ka paraparë asnjë aktivitet për ta shënuar këtë ditë.

Arsye për këtë është mungesa e Kryetarit të Komunës, Sami Lushtaku, i cili që nga maji i vitit të kaluar është në paraburgim, si i dyshuar për krime të luftës.

“Duke parë se festimet e Ditës së Pavarësisë këtë vit po bëhen në mungesë të njerëzve më meritorë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës,disa prej të cilëve padrejtësisht po mbahen në burgje të akuzuar me akuza të paqëndrueshme, banale dhe qesharake, institucionet komunale të Skenderajt kanë vendosur të mos organizojnë aktivitetet festive me përjashtim të homazheve kushtuar dëshmorëve”, thuhet në komunikatën e Komunës së Skenderajt.

“Konsiderojmë se dëshmorët, veteranët dhe invalidët e luftës janë më meritorët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe në rrethanat kur ata po akuzohen padrejtësisht për krimet e pabëra, festimi i Ditës së Pavarësisë do të ishte i zbehtë dhe i paarsyeshëm për ne si institucione dhe për qytetarët e Skenderajt të cilët dhanë dhe sakrifikuan shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, thuhet në këtë komunikatë.