S’kemi anëtar me emrin Avni Krasniqi

Vetëvendosje deklaron se nuk ka anëtar në Prishtinë me emrin Avni Krasniqi, për të cilin pronari i Elkos, Ramiz Kelmendi, tha t’i ketë kërkuar haraç. Sipas saj, kjo akuzë është shpifje. VV, po ashtu, mbështet Komunën për rrënimin e objekteve pa leje.

Lajme

18/01/2014 15:30

Lëvizja Vetëvendosje e ka përshëndetur veprimin e fundit të Komunës së Prishtinës, kur kjo e fundit kishte marrë vendim që ta rrënojë një objekt të Kompanisë  “ELKOS Grup”, e cila është në pronësi të deputetit të AAK`së, Ramiz Kelmendi.

Në një komunikatë për media, thuhet se Lëvizja Vetëvendosje do ta përkrahë çdo veprim të Komunës së Prishtinës, e cila ka për qëllim të vendosë ligjin dhe rendin.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! përkrah çdo angazhim të komunës së Prishtinës dhe institucioneve tjera që vendosin rregull dhe ligj, e posaçërisht sa i përket çështjes së ndërtimeve. Në të njëjtën frymë i konsiderojmë edhe veprimet e qeverisjes së re në Prishtinë, përfshirë edhe rrënimin e fundit. Ndërtimet pa leje janë një problem shumë i madh, me të cilin ballafaqohet pushteti lokal në Kosovë e veçanërisht Prishtina”.

“Gjatë prononcimeve të pronarit të ndërtimit pa leje, dje u hodhën akuza në drejtim të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, se gjoja ka pasur kërcënime e kërkesa për haraç drejtuar pronarit. Kjo e njëjta akuzë u ritheksua sot edhe nga subjekti politik, i cili u vu në mbrojtje të shkeljes së ligjit vetëm pse shkelësi është anëtar i saj.”

“Lëvizja VETËVENDOSJE! me përgjegjësi të plotë konstaton se nuk ka asnjë anëtar me emrin Avni Krasniqi në Prishtinë dhe akuzat e tilla i konsiderojmë shpifje.”

“Në anën tjetër, gjatë deklarimit të njëjtë të personit në fjalë, ai pranoi se ndërtimi ishte pa leje dhe se në një mënyrë kishte kërkuar që ligji të mos vlejë për të. Zbatimi i ligjit duhet të jetë i barabartë për të gjithë, pa marrë parasysh se cilit subjekt i takojnë, apo sa janë të pasur”.

“Po ashtu, dëshirojmë të potencojmë se Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë ka dëshmuar se veprimet i ka në bazë të parimeve, të cilat nuk i ndërron sa herë që dikush tjetër kërkon. Duke u bazuar në këto parime, Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk merr vendime arbitrare se ku duhet komuna ta zbatojë ligjin.”

“Kjo mënyrë e funksionimit, pra të zbatimit të ligjit të barabartë për të gjithë ka filluar tashmë në Prishtinë dhe e njëjta duhet të bëhet edhe në nivel të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.