Skemë mashtrimi dhe përfitim 1.5 milionë dollarë, dy të arrestuar në Korçë
Dy persona janë vënë në prangat e policisë së Korçës të akuzuar si të përfshirë në një skemë mashtrimi financiar, duke përfituar një vlerë rreth 1.5 milionë dollarë.

Lajme
Ndalimi i tyre u bë me kërkesë të Prokuroria e Korçës, pas miratimit nga ana e gjykatës, për të arrestuar Foto Kapuranin dhe Dhimitri Metellari, shkruan Noa.al.
Nga hetimi i Prokurorisë së Korçës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor Qendror dhe Drejtorinë e Policisë Korçë, ka rezultuar se Foto Kapurani, administrator i disa kompanive të betonit, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka krijuar disa subjekte tregtare në QKR për të kryer shitje fiktive tek njëri-tjetri.
Në analizë të veprimeve hetimore, në periudhën 2011-2014, kompanitë “Kapurani vajra”, “Kapurani trans”, “Beçi Company” dhe “Four Beton”, nëpërmjet veprimeve fiktive, i janë shmangur detyrimeve tatimore në vlerë totale mbi 170 milionë lekë të reja ose rreth 1.5 milionë dollarë.
Aktualisht po punohet për evidentimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë skemë.