Skandaloze: Radiologjia “djeg” pacientët dhe stafin me rrezatim

Gjendje skandaloze ka rezultuar në kabinetet e Klinikës së Radiologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Lajme

19/04/2019 12:17

Punonjësit dhe pacientët e Klinikës së Radiologjisë, po del të jenë të rrezikuar nga prezenca e rrezatimit, kjo për faktin se në këtë klinikë nuk ka pajisje mbrojtëse, madje nuk ka as ventilim funksional.

Kjo është bërë e ditur pas inspektimit të fundit që ka bërë Agjencia për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore në Klinikën e Radiologjisë.

Lajmi.net  ka siguruar raportin inspektues përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, drejtuar Agjencisë për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Kabinetet dhe pajisjet e inspektuar nga Agjencia për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore janë: Kabineti Nr3, rëntgen digjital, kabineti Nr.4 skopia, kabineti Nr.5 rëntgen digjital, kabineti Nr.6 skopia, Kabineti i Tomografisë Kompjuterike (TK-6)

Probleme sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes nga rrezatimi janë hasur qysh në sportelin e hyrjes së Repartit të Radiologjisë.

Aty punonjëset administrative nuk posedojnë fare dozimetra personale.

Madje, kjo Klinikë nuk është pajisure me licencë në Agjencinë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore.

Stafi i Radiologjisë nuk kanë një inventar të pajisjeve mbrojtëse, kishin vetëm 3 kecele dhe 1 qafore.

“Nuk janë pajisur me licencë nga AKMRrSB. Nuk kanë një inventar të pajisjeve që gjenerojnë rrezatim. Nuk është kryer shërbim teknik profesional përpara çdo ndryshimi (servisimi). Nuk është kryer vlerësimi i sigurisë (kontrolli i kualitetit të rrezatimit) pajisjeve nga ndonjë shërbim teknik profesional përpara çdo ndryshimi. Nuk kanë një inventar të pajisjeve mbrojtëse. Kishin 3 kecele dhe 1 qafore”, thuhet në raportin të cilin e ka siguruar lajmi.net.

Edhe pacientët të rrezikuar nga rrezatimi

Përveç stafit, në Radiologji po del të jenë të rrezikuar edhe pacientët, pasi mungojnë pajisjet mbrojtëse edhe për ata.

Raporti ka gjetur se në Radiologji nuk kanë pajisje mbrojtëse të mjaftueshme për pacientë, përcjellës të pacientëve dhe staf profesional, po ashtu nuk kanë “doreza të plumbuara, syze, qafore, pajisje për gonade”.

“Gjatë inspektimit, teknikët e radiologjisë realizuan dy raste të ekspozimit të pacientëve një fëmije (me përcjellës) dhe një grua e moshuar se nuk kishin vendosur pajisje mbrojtëse edhe ato pak pajisje që kishin nuk i përdornin për këtë qëllim”, thuhet në raportin që lajmi.net ka siguruar.

“Raporti konstaton se nuk bënin vlerësim dhe zbatimin e organizimit të mbrojtjes nga rrezatimi duke siguruar përcaktimin e hapësirave të kontrolluara dhe hapësirave të mbikëqyrura”.

Punonjësit nuk dinë se si t’i vendosin pajisjet mbrojtëse

Inspektorati i Agjencisë së Rrezatimit dhe Sigurisë Bërthamore po ashtu ka gjetur se punonjësit e Klinikës së Radiologjisë nuk dinin se si t’i vendoseni pajisjet mbrojtëse.

Çdoherë sipas raporti, punonjësit ishin të pajisur me dozimetër personal (TLD), por praktikantët dhe studentët nuk ishin pajisur me dozimetra, ku gjate inspektimit hasëm në një rast të tillë.

“Mbi 90 % të rasteve, punojnësit e Klinikës së Radiologjisë dozimetrat nuk i kishin të vendosura si duhet. Punonjësit nuk ishin të njoftuar periodikisht për dozat e tyre mujore nga përgjegjësit për menaxhimin e dozimetrave (kryetekniku i Radiologjisë), pra asnjëherë nuk ishte mbajtur një takim mujor ku secili punonjës do të ishte informuar për dozat e tij”, thuhet në raportin që ka siguruar lajmi.net.

Po ashtu, Klinika e Radiologjisë nuk i ka raportuar dozat e pranuara nga punonjësit e ekspozuar të AKMRrSB për regjistrim në regjistrin kombëtare të dozave.

“Gjatë një keqmenaxhimi të raporteve mujore të dozimetrave. Nga vetëm 3 raporte mujore të viti 2017 dhe 2018 të përzgjedhura rastësish, normë për shqyrtim dhe vërehet se ka shumë parregullsi”, thuhet në raport.

Inspektorati i Agjencisë së Rrezatimit ka gjetur se mbi 80 për qind të punonjësve nuk kanë pasqyrë mbi dozat e pranuara të rrezatimit.

“Mbi 80 për qind e punonjësve nuk kanë pasqyrë mujore mbi dozat e pranuar të rrezatimit nga rrezet X kjo për shkak se dozimetrat personale ose i kanë kthyer pa i shfrytëzuar ose dozimetrat nuk i kanë kthyer fare (sipas Institutit të mjekësisë së Punës), gjë që është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore. Nga kjo pikë mund të kolaudojmë se bazuar nga inspektimi paraprak me numër të procesverbalit 021/2015, gjendja rreth monitorimit dozimetrik personal është edhe më e keqe. Andaj me këtë ne nuk kemi një pasqyrë se ekspozimet e punonjësve janë brenda limiteve mujore/vjetore për vitet 2017 dhe 2018”, thuhet në raport.

Kabinetet e Radiologjisë nuk kanë as ventilim funksional

Përveç kësaj, skandaloze në këtë klinik po del të jetë edhe mosfunksionimi i ventilimit.

Raporti thotë se ventilimi i instaluar nuk ishte sipas standardeve, si i tillë nuk ishte në funksion.

“Nuk janë bërë asnjëherë matjet periodike nga stafi apo ndonjë ekspert për matjen fuqisë se ekspozimi në zonat publike pran vendeve ku bëhen ekzaminime diagnostike, ku përmes matjeve do të bëhej edhe vlerësimi i shkallës së dozës”, thuhet tujet në raportin që ka siguruar lajmi.net.

Gjatë inspektimit është vërejtur se në shumicën e kabineteve të inspektuara, dyert ishin të dëmtuara dhe si pasojë e kësaj gjate matjeve me pajisjet janë regjistruar doza të ngritura të rrezatimit.

Po ashtu inspektorati ka gjetur se nuk ishin te përcaktuara dhe të dokumentuara protokollet e trajtimit të pacientëve.

“Në bazë të të dhënave mbi dozimetrin e pacientëve gjatë një imazherie. Kryetekniku nuk ishte në gjendje që të na tregonte këto parametra, andaj me këtë ne nuk kemi një analizë vlerësimi mbi dozimetrat e pacientëve”, thuhet tutje në raport.

“Nuk kanë pasur trajnim dhe informacion të duhur për mbrojtjen nga rrezatimi veçanërisht për pajisjet për të gjithë individët detyrat e të cilëve kërkojnë kompetenca specifike në mbrojtje nga rrezatimi”.

Inspektorati ka rekomanduar Klinikën që të fusë në funksion sistemin e ventilimit aty ku nuk është funksional dhe të instalohet aty ku nuk ekziston fare.

Agjencia për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria bërthamore ka dhënë vërejtjen e fundit për këtë klinikë pas inspektimit të bërë dhe ka kërkuar të sanohen të gjitha këto parregullsi dhe bëhet aplikimi për licencim në këtë Agjenci. Egzonë Idrizi /Lajmi.net/

Raportin e plotë e gjeni KËTU.