Skandaloze: Gruaja pështyn policin, ai ia kthen me shuplakë! (Video)

12:56 | 8 Shkurt 2015

Momenti kur plas sherri ndërmjet një shofere lezhjane dhe dy policëve rrugorë në Tiranë

Televizioni News 24 ka siguruar një video-skandal, në të cilin janë përfshirë dy punonjës të Policisë Rrugore dhe një qytetare.

Mësohet se ajo quhet Alma Martini dhe është nga Lezha, 40 vjeçe.

Një qytetar ka filmuar konfliktin ndërmjet tyre në Tiranë, konflikt që u kthye në përplasje fizike. Pas kësaj videoje, ka reaguar menjëherë Policia e Shtetit, duke i pezulluar dy punonjësit e saj.

Ngjarja ka ndodhur pasi gruaja ka marrë një gjobë për kundërvajtje me mjetin e saj “Renault”, të cilën gjobë ajo e ka refuzuar. Duke hedhur fletën e gjobës, nga pakujdesia, Martini e ka hedhur në tokë edhe patentën. Policët ia kanë marrë patentën dhe kërkesës së qytetares për t’ia kthyer, i janë përgjigjur me fjalë fyese. Kjo e ka acaruar më shumë situatën. Ajo i ka pështyrë punonjësit e Policisë, ndërsa njëri prej tyre e ka qëlluar me shuplakë.

News 24 raporton se pas incidentit Alma është shoqëruar nga Policia.

Burime nga Policia Rrugore thanë se dy efektivët nuk ia kishin marrë patentën qytetares, por asaj i kishte rënë në tokë. Sipas tyre, Martini i kishte sharë, fyer dhe goditur efektivët edhe para momenteve të filmuara në video.