Skandali në UP shqetësues

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë shprehur të shqetësuar me arrestimet e fundit në Universitetin e Prishtinës. Deputeti dhe Profesori Haki Demolli, thotë se akterët kryesorë të kësaj afere janë njerëz me pozita të larta.

Lajme

19/12/2013 13:44

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë shprehur të shqetësuar me zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Universitetin e Prishtinës.

Ndaj arrestimeve që kanë ndodhur në UP ka reaguar deputeti i LDK`së, që njëherit është edhe Profesor Universitar, Haki Demolli. Ai tha se personat kyç të këtyre aferave korruptive, janë njerëz që kanë pozita të larta në UP.

“Përfundimi logjik është që përfitues dhe akterë kryesorë të këtyre aferave korruptive, është dikush tjetër që ka pozita më të larta qoftë në procesin e mësimdhënies qoftë në menaxhmentin e fakulteteve apo universiteteve”.

Demolli ishte kritik edhe me ish-liderët e organizatave studentore.

“Avancimet e tyre tregojnë se ata aktivitetin e kanë zhvilluar për këto organizata nuk e kanë bërë për interesat e studentëve dhe mirëqenien e tyre por thjesht për interesa personale dhe grupore”.

“Kanë qenë të interesuar që angazhimin e tyre në organizatat studentore ta kapitalizojnë duke u vënë në shërbim të menaxhmentit e që si shpërblim më vonë të pranohen si asistent apo personel tjetër mësimdhënës”.

“Ja që doli që këta liderë dhe ish-aktivist të organizatave shëndetësore të shpërblyer me pozitat e asistentëve për shërbimet e tyre për klanet e ndryshme në UP nuk po merren vetëm me punë të procesit mësimor”.

“Ata po merren edhe me ndërmjetësime të karakterit korruptiv qoftë në formë të shitblerjes së notave apo në formë të kundërligjshëm të regjistrimit të studentëve”.

“Kjo tregon që fatkeqësisht në korrupsion janë të përfshirë grupmosha të reja, asistentët dhe ish-aktivist të organizatave studentore”.

Ndërsa deputeti i Partisë së Drejtësisë, Gëzim Kelmendi, i bëri thirrje Ministrisë të Arsimit dhe asaj të Punëve të Brendshme që ta vendosin në krye të prioriteteve çështjen e sistemit arsimor ne Kosovë.

“Unë i bëjë thirrje Ministrisë të Arsimit së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme ta vendosin ndër prioritetet e para sistemin arsimor në Kosovë ngase nuk dyshoj në vullnetin dhe angazhimin e ministrit për ta luftuar këtë korrupsion”.

Sipas tij, nuk është shumë e vështirë që të mësohet se si ndodhin këto afera në fakultetin e mjekësisë. “Në parim nuk është e vështirë të dihet se si ndodhin të gjitha këto gjëra në atë fakultet”.

“Duke filluar që nga 14 vitet e pas luftës do të shihni nëse shkojmë në renditje kronologjike duke filluar që nga provimet pranuese se si janë pranuar studentët në fakultetin e mjekësisë do të shihni shpeshherë ka ndodhur dyfishim i studentëve nga numri real”.