Skandali me diploma në Pejë, brenda ditës diplomuan 105 studentë

Sipas dosjes së Prokurorisë së Pejës, brenda një dite në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë kanë diplomuar 105 studentë. Prokuroria dyshon se ky Universitet publik i ka lëshuar 503 diploma false.

Lajme

05/03/2015 08:41

Agron Mustafa, tashmë kryeshef i ri ekzekutiv I Postë Telekomit të Kosovës (PTK), ka qenë vetë i 105-ti student që ka diplomuar për një ditë në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë.

Me gjasë kjo është ceremonia më e madhe e diplomimit të studentëve në një Universitet publik të vendit, disa muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë, përkatësisht më 24 maj të vitit 2000, shkruan Zëri.

Diplomat e studentëve të Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë janë duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Pejës, pasi që sipas Rekotratit të Universitetit, nga 505 studentë, 503 nuk figurojnë në arkivat e tyre të kenë qenë ndonjëherë studentë.

Fakulteti i Shkencave të Aplikuara të Biznesit më herët ka funksionuar në kuadër të Universitetit të Prishtinës, ndërsa pak vite më parë është pavarësuar dhe ka marrë emrin Universiteti “Haxhi Zeka” – Pejë.