Skandali i ri i Agim Bahtirit: Qeveria i dha pare për shkollë, përmbaruesit ia morën (Dokumente)

Për shkak të keqmenaxhimit me paranë publike dhe mosshlyerjen e obligimeve financiare, Agim Bahtirit edhe mjetet që Ministria e Financave ia kishte alokuar për rindërtimin e shkollës së djegur “Musa Hoti”, ia morën para disa ditësh përmbaruesit privatë. Më 13 gusht 2017, në Mitrovicë ishte djegur shkolla “Musa Hoti”, transmeton lajmi.net.

Lajme

13/11/2017 15:38

Por, duke mos pasur buxhet, në mbështetje të Komunës së Mitrovicës të qeverisur nga Agim Bahtiri, kishte dalë Ministri i Financave, Bedri Hamza, duke ia ndarë atij 356, 300 euro për renovimin e saj.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Agim Bahtiri më 22 shtator ishte shprehur shumë mirënjohës.

Vendimi i permbaruesit 

“Falënderoj Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga kryeministri Haradinaj për përkrahjen që po i jep komunës së Mitrovicës. Përveç vizitës të kryeministrit në ‘Trepçë’ dhe zotimeve që i bëri para minatorëve, tani për Mitrovicën ka ardhur edhe mbështetja e parë konkrete, pasi që ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza pas kërkesës time, ka marrë vendim që t’i ndajë 360 mijë euro për rindërtimin e Shkollës “Musa Hoti”, e cila është djegur në muajin e kaluar. I jam mirënjohës ministrit Hamza, i cili e ka filluar punën mbarë me Mitrovicën, ndaj të cilës kemi obligime të gjithë. Ditë të mira po vijnë pë Mitrovicën, të cilën e kishte lënë anash Qeveria e kaluar”, kishte shkruar Bahtiri.

Megjithatë, nxënësit e shkollës “Musa Hoti”, as pasi Ministria e Financave ia ndau mjetet financiare për rindërtimin e shkollës së tyre, nuk ia panë hairin Agim Bahtirit. Përkundrazi, ia panë vetëm sherrin, sepse për shkak të keqmenaxhimit me paranë publike dhe borxheve të pashlyera të tij, një pjesë të këtyre mjeteve financiare, qeverisjes së Agim Bahtirit në Mitrovicë ia kishin marrë menjëherë përmbaruesit privatë.

Dokument:

Më 7 nëntor 2017, Shoqëria Përmbarimore Metaj LAW SHP kishte nxjerr vendim për tërheqjen e 74,659 euro nga mjetet që Ministria e Financave ia kishte alokuar për rindërtimin e shkollës “Musa Hoti”. Për shkak të papërgjegjësisë së qeverisjes së Agim Bahtirit, nxënësit e shkollës “Musa Hoti” ende i ndjekin “duq” mësimet në shkollën “Anton Zako Çajupi” në Mitrovicë. /Lajmi.net/