Skandali i përgjimeve në Maqedoni krahasohet me “Watergate”

Aferën e fundit të përgjimit që denoncoi pak ditë më parë LSDM-ja, ekspertë dhe analistë politikë e kanë krahasuar me aferën e viteve ‘70 në SHBA, “Watergate”.

Lajme

12/02/2015 19:09

Gjatë një debati në emisionin “360 gradë”, në televizionin Alsat, profesori Dimitar Mirçev tha se tani nuk ka rëndësi nëse i gjithë procesi është kryer nga shërbimet e huaja, nga opozita apo pushteti, por, sipas tij, në pikëpyetje është vënë funksionimi i sistemit shtetëror.

“Megjithatë është e saktë se janë shkelur të drejtat e qytetarëve dhe ky është shqetësimi kryesor. Mua më kujton skandalin e madh politik të përgjimit “Watergate”, të vitit 1972 në SHBA. Epilogu i kësaj është funksionimi i sistemit. Presidenti amerikan atëbotë pati dhënë dorëheqje që të mos shkarkohej, sepse administrata e tij qe akuzuar për organizimin e përgjimit”, tha Mirçev.

Profesori tjetër dhe ish diplomati, Nano Ruzhin pret reagime të ashpra nga faktori ndërkombëtar gjatë periudhës në vazhdim. Ai e sheh zgjidhjen e situatës në emërimin e qeverisë teknike dhe përfshirjen e Perëndimit.

“Bashkësia ndërkombëtare me siguri do të reagojë në mënyrë shumë edukative, ndoshta edhe ashpër, sepse nëse ky është vetëm fillimi dhe këto janë vetëm gjëra fillestare, siç thotë Zaevi, atëherë ajo që presim do të jetë më tragjike. Prandaj shpresoj se nga kjo krizë do të dalim me një qeveri teknike, e cila do të organizojë zgjedhje të ndershme dhe demokratike, por do të na nevojitet edhe një monitorim i madh nga Perëndimi”, tha Ruzhin.

Por, sipas kolegut të tij, Ymer Ismaili, nëse dëshmohet vërtetësia e gjithë skandalit, atëherë nuk do të ketë vend për të diskutuar për qeveri teknike ose rënie të qeverisë aktuale.

Nëse dëshmohet fajësia e tyre, autorët e skandalit, sipas Ismailit, duhet të tërhiqen vetë dhe përjetësisht nga skena politike.

Këto komente u bënë në emisionin “360 gradë”, që u transmetua mbrëmë në Alsat-M, ku po ashtu në lidhje të drejtpërdrejt, Zoran Jordanovski, redaktor i Dojçe Velle në gjuhën maqedonase, njoftoi se skandali i përgjimit në Maqedoni ka filluar të zërë gjithnjë e më shumë vend në hapësirën mediatike në Gjermani. /KosovaPress/