Skajshmërisht paradoksale!

Politika kosovare aktualisht veçohet si histeri dhe si indiferencë, si zjarrmi ose si apati, si dalldi kinse patriotike apo si mohim i vetvetes.

Opinion

02/04/2015 16:53

Funksionimi i politikës dhe i shoqërisë kosovare, si qëndrojnë punët aktualisht, ndodhë në skajshmëri, duke harruar fare qendrën, maturinë, racionalitetin, pragmatizmin. E stabiliteti i një shteti ndërtohet pikërisht mbi këto vlera, jo mbi skajshmëritë, të cilat imponohen si reagime dhe si veprime, vetëm në situatat emergjente.

Kështu, politika kosovare aktualisht veçohet si histeri dhe si indiferencë, si zjarrmi ose si apati, si interes egoist ose bamirësi selektive, si dalldi kinse patriotike apo si mohim i vetvetes.

Një ngjarje a një dukuri që një ditë të duket e bollshme për të ndodhë hataja në këtë politikën kosovare, apo, që del si një fushëbetejë ku do të ketë përplasje të madhe në skenën politike të vendit, një ditë më pas del që nuk është në gjendje të mobilizojë një interesim të politikës, që i ri sadoafër ta zëmë mësymjes pas rezultateve sportive.

A nuk është rast i tillë ai që flet për gjendjen e sotme me Ndërmarrjen ‘Trepça’?

Pak javë më parë, çka nuk u tha dhe çka nuk u bë  (madje), për temën e ‘Trepçës’, kur mbërriti në Kuvendin e Kosovës për trajtim fati i kësaj ndërmarrjeje, e cila në vete ka një histori të pasur ekonomike dhe politike. Zaten, ‘Trepça’ është gjithqysh hisenike në historinë e Kosovës.

Ju kujtohet që ato ditë pati fjalime të zjarrta pseudo-patriotike nga të gjitha anët e kësaj politike kosovare, pati kërcënime të të gjitha llojeve, emocione të prodhuara me bollëk për përdorim ditor, dhe vetëm në raste fare të rralla, kishte përpjekje që debati për fatin e ‘Trepçës’ të bëhet me një logjikë të pastër ekonomike, e cila zaten është interes nacional i Kosovës.

Nuk mbahet dhe as nuk shtohet prodhimi në ‘Trepçë’ dhe perspektiva ekonomike e Kosovës me fjalime ‘para popullit’, duke i ndarë në taboret klasike shqiptare, në patriotë dhe tradhtarë, ata që janë të veçuar në kolonat thellësisht kundërshtuese politike, si rezultat i partneriteteve pas-zgjedhore.

Është e vërtetë që edhe në këtë rastin e ‘Trepçës’, patëm dy tabore, ama ishin të përziera, me përfaqësues të gjithë spektrit politik: Injorancë dhe histeri pati me shumicë, madje, ishte kjo një shumicë absolute në politikën kosovare, ndërsa mençuri dhe maturi pati me pakicë. Ndërsa kjo pakicë, nuk ka të thuash kurrfarë të drejtash në këtë politikën kosovare. Nuk ka mekanizma mbrojtës për ruajtjen e saj.

Nëse i kthehemi realitetit të sotëm, e dimë që thuaja përditë menaxhmenti i ndërmarrjes ‘Trepça’, na alarmon (kjo është fjalë absolutisht e qëndrueshme në këtë rast, pra, kemi të bëjmë me një situatë emergjente), që tash e gati tre muaj, ‘Trepça’ ka mbetur pa licencë për punë në minierat e saj.

Çfarë paradoksi! Tash kur politika kosovare do të duhej të vlonte, kur do të duhej të bëheshin të gjitha veprimet e duhura, qofshin ato edhe të jashtëzakonshme, kjo temë as që është bërë burim i debatit në politikën kosovare. Jemi në gjendje që të bëhemi copë dhe grimë (si thuhet), për ardhmëninë e ‘Trepçës’, pa të cilën nuk ka perspektivë ekonomike as për Kosovën, por ja që nuk kemi edhe aq kohë për tu marrë me atë çka po ndodh sot, tani, menjëherë, me këtë ndërmarrje, e cila është bllokuar plotësisht, për shkak të dështimeve të shumta që kanë paralizuar mekanizmat vendimmarrës në procesin e pajisjes me licencë të ‘Trepçës’.

Mund të marrim me mend se çka do të mund të mendojë për Kosovën, për mënyrën se si funksionojmë si shtet, një investitor i huaj kur të merr vesh çfarë po i ngjanë ndërmarrjes ‘Trepça’. Diçka e tillë për këtë investitor më nuk mund të imagjinohet as në shtetet më të prapambetura.

Një shembull i këtij lloji përkon edhe me mungesën e debatit të mirëfilltë në politikën kosovare për gjendjen ekonomike në vend, edhe në vijim të masave më të fundit të Qeverisë së Kosovës rreth politikës fiskale.

Është dukuri shumë e rrallë kur bëhesh dëshmitar i një përpjekjeje të baraspeshuar për të shpjeguar problemet e mëdha ekonomike dhe sociale të Kosovës. Në këto përpjekje synohet të gjinden zgjidhjet për këto probleme. Ndërsa në ato të tjerat, që poashtu janë me shumicë dhe me bollëk, mbizotëron logjika e krijimit të problemit për çdo zgjidhje eventuale për telashet e mëdha, të cilat kanë marrë trajtën e protestave të shumta në kërkim të përmirësimit të statusit social përmes buxhetit të Kosovës.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)