S’ka të dhëna për përfaqësimin e shqiptarëve në Shkup

Qyteti i Shkupit prej dy muajsh nuk ka arritur të sigurojë të dhëna të sakta për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet dhe ndërmarrjet publike të këtij qyteti.

Lajme

17/03/2015 22:47

Edhe gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Qytetit, pika 4, e cila ishte siguruar për diskutim lidhur me këtë çështje, u hoq nga lista, me arsyetimin se të dhënat nuk janë kompletuar ende.

Nga PDSH-ja u kërkua shpjegimi për vonesën e statistikave, ndonëse një gjë e tillë ishte kërkuar tashmë prej kohësh.

“Na habit fakti që sot pika e shumëpritur për t’u diskutuar në Qytetin e Shkupit për përfaqësimin adekuat të etnive, ku themelues janë ndërmarrjet publike. Na habit fakti se pika e rendit të ditës edhe pse me rregullore është dashur të largohet para se të mbahet seanca, të gjithë ne ishim të përgatitur për këtë pikë. Edhe ju si kryetare e Këshillit bëtë vërejtje të adresuar te drejtorët, por ende nuk kemi përgjigje sot e kësaj dite. Tani kuptuam se kjo pikë nuk është larguar nga rendi i ditës se kemi drejtorë të rinj që ende nuk janë ashtu siç duhet në karriget e tyre”, u shpreh Idriz Orana, këshilltar i PDSH-së.

Këshilltarët e partisë shqiptare në pushtet pranojnë përfaqësimin e dobët por vetëm në postet drejtuese, raporton Alsat.

Qemal Musliu, nga BDI-ja, tha se një ndër ndërmarrje publike ku shqiptarët janë në pozicion më të mirë është “Higjena Komunale” e drejtuar nga Rakip Doçi, kuadër i kësaj partie.

“Sipas informacioneve që kam unë, përfaqësimi në ndërmarrjet që i ka themeluar qyteti i Shkupit është i volitshëm pasi që në të gjitha këto ndërmarrje përfaqësimi është mbi 25%, ndërsa në higjienë komunale numri duhet të jetë mbi 50%. Problemi është diçka tjetër për shkak se në poste udhëheqëse në ndërmarrjet e tjera numri është simbolik. Në Higjienën Komunale 30 deri 35% poste udhëheqëse janë shqiptare, ndërsa në ndërmarrjet tjera, përveç 3.4 apo 5 nuk mund të shohim shqiptarë në poste udhëheqëse, flas për udhëheqës sektori, ndihmës drejtorë apo udhëheqës teknik”, tha Qemal Musliu.

Sipas raportit të fundit të Avokatit të Popullit, përfaqësimi i shqiptarëve në Qytetin e Shkupit nuk kalon as 6%, ndërsa në postet drejtuese, as 3% e të punësuarve nuk janë të etnisë shqiptare.