S’ka shpresë për stadiumet e Gjilanit, Pejës dhe Mitrovicës, MKRS anulon tenderët 37 milionë euro
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka anuluar tre tenderët në vlerë milionëshe për stadiumet në qytetin e Gjilanit, të Pejës dhe Mitrovicës. Tenderi për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Pejë është parashikuar të ketë vlerë 19 milionë euro, tenderi për renovimin e stadiumit të qytetit në Gjilan me vlerë 15 milionë euro si…

Lajme
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka anuluar tre tenderët në vlerë milionëshe për stadiumet në qytetin e Gjilanit, të Pejës dhe Mitrovicës.
Tenderi për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Pejë është parashikuar të ketë vlerë 19 milionë euro, tenderi për renovimin e stadiumit të qytetit në Gjilan me vlerë 15 milionë euro si dhe ai për renovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë me vlerë të parashikuar të kontratës 3 milionë euro.
Anulimi i këtyre aktiviteteve të prokurimit është bërë tri ditë pas publikimit të njoftimeve paraprake, me arsyetimin se ato janë vendosur gabimisht meqë janë në fazën e vlerësimit.
Tek njoftimi për anulimin e tenderit për stadiumin e Pejës thuhet se “Kjo njoftim është njoftim gabimisht i vendosur pasi që procedura në fjalë është procedurë në fazën e vlerësimit (respektivisht procedura Punë ndërtimore për zbatimin e projekteve të hollësishme [zbatuese kryesore] për ndërtimin dhe rindërtimin e stadiumeve në Ferizaj, në Pejë, në Prizren dhe në Vushtrri, në përputhje me rregulloret dhe udhëzimet teknike për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA me numër 207-24-12176-5-1-1 dhe 207-24-123-5-1-1 respektivisht LOT 2. Punë ndërtimore për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të arkitekturës dhe të inxhinierisë për ndërtimin e Stadiumit të ri në Pejë, në përputhje me Kategorinë III plus të rregulloreve dhe udhëzimeve teknike për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA në vlerë financiare të parashikuar 19milionë Euro)”.
Gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, Kryeministri Albin Kurti e kishte përmendur se kanë ndarë mjete për këtë stadium, për të cilin kishte thënë se është lënë si gërmadhë.
“Për Stadiumin “Shahin Haxhiislami” ku i ka zhvilluar historikisht ndjeshjet Klubi i Qytetit BESA, i kemi ndarë 19 milionë euro. Stadiumi është në gjendje të mjerueshme, kush vjen këtu në sallën e sporteve në Karagaç nuk mund ta sheh stadiumin as ditën se lëre më natën meqenëse e kanë lënë si gërmadhë të shëmtuar. Por Qeveria jonë do ta shndërrojë në një stadium modern me rreth 8 mijë ulëse. Ky investim në stadiumin e qytetit tuaj është pjesë e planit tonë 5-vjeçar për infrastrukturën e futbollit: mbi 200 milionë euro për 20 stadiume, në 18 komuna Cep më Cep Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Kurti në tubimin në Pejë./Lajmi.net/