S’ka ridizajnim të marrëveshjes

E plotësuar: Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj, pas takimit të tyre të sotëm në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, janë paraqitur para gazetarëve, por nuk kanë thënë asgjë të re.

Lajme

05/11/2014 10:57

Përkundër faktit se kriza gjashtëmujore po vlerësohet si kriza më e rëndë politike që nga shpallja e pavarësisë, Mustafa dhe Haradinaj kanë përsëritur për media ato që janë dëgjuar tashmë pas çdo takimi që ka pasur koalicioni paszgjedhor LAN e LVAN.   

E vetmja “mosmarrëveshje” në këtë takim midis Mustafës dhe Haradinajt ka qenë ajo se kush e ka nxitur ridizajnimin e marrëveshjes së koalicionit paszgjedhor LAN, mediat apo PDK-ja.  

Edhe pse LDK-ja nuk e ka demantuar zyrtarisht lajmin se Kryesia e saj një ditë më parë ka vendosur që kryetari i kësaj partie të jetë i dominuari i Bllokut për kryeministër të Kosovës, Mustafa ka thënë se nuk është biseduar për ridizajnimin e marrëveshjes, dhe se kjo është temë e nxitur nga mediat.

I pyetur nëse po shkohet drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, lideri i LDK-së ka thënë se Kosova i ka mbajtur zgjedhjet më 8 qershor, dhe se tani ka ardhur koha të bëhen institucionet e saj.

“Zgjedhjet janë mbajtur më 8 qershor, ndërsa tani ka ardhur koha të bëjmë institucionet, pasi e kemi shumicën”, ka thënë Mustafa.

Edhe e nominuari aktual i Bllokut për kryeministër, Haradinaj, ka thënë se meqë temaq e ridizajnimit të marrëveshjes së LAN-it është nxitur nga PDK-ja, nuk kanë pasur kohë të diskutojnë rreth saj.   

“Kemi folur për shqetësimin tonë që nuk po thirret seanca dhe që PDK me anë të kryesueses së Kuvendit, Flora Brovina, po i mban peng institucionet”, ka thënë lideri i AAK-së.

“Tek ne nuk është tema ridizajnimi. Është temë e nxitur nga PDK-ja dhe nga Hashim Thaçi. Ai ka interes të madh që debati të kthehet në çështje të brendshme të koalicionit që ka krijuar shumicën për t’i ikur temës, e tema është mos-thirrja e seancës”.

“Hashim Thaçi duhet ta kuptoj këtë si një rotacion. Ka qeverisur me vendin për dy mandate, por tash s’e ka shumicën. Vendi qeveriset nga ata që e kanë shumicën. Edhe në të ardhmen në demokraci rotacioni duhet të pranohet. Është i pakuptimtë qëndrimi i tij dhe bllokada e vendit dhe mospranimi i rotacionit në demokraci. Është interes i tyre që të mos vazhdojnë ta mbajnë vendin peng”.

I pyetur se pse ka munguar në këtë takim Fatmir Limaj, partia e të cilit (Nisma për Kosovën) është pjesë e koalicionit paszgjedhor, Haradinaj ka thënë se e kanë si praktikë edhe takimin “një me një”, dhe se do ta takojë gjatë ditës edhe liderin e Nismës për Kosovën.


——————————————————–

Mustafa shkon vetëm te Haradinaj, PDK-ja mblidhet pasdite 

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka shkuar të mërkurën paradite në Selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku po zhvillon takim me kreun e kësaj partie, Ramush Haradinaj.

Në këtë takim pritet të diskutohet mundësia e ndryshimit të marrëveshjes së LAN-it, pasi sipas mediave, në takimin e djeshëm të Kryesisë së LDK-së është kërkuar që ky koalicion në vend të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, të nominojë për kryeministër kreun e LDK-së, Isa Mustafa.

Ky ndryshim është shtruar si nevojë, pasi Blloku është bindur se nuk mund të formojë qeverinë, përkundër numrave që ka, pa lëshuar pe për Kryeparlamentarin, i cili sipas Kushtetutës dhe aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese i takon partisë fituese të zgjedhjeve, në këtë rast Partisë Demokratike.        

Ndërkohë, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës pritet të mblidhet në ora 15:00 ku temë diskutimi se si të zgjidhet kriza politike, e cila e ka vënë Kosovën në pozitën më të vështirë që prej shpalljes së pavarësisë.