S’ka pasur FARK, Rugova qe i pa interesuar për ushtri

Sipas Xhavit Halitit, refuzimi i votës nga deputetët në Kuvend pro amendamenteve që LDK-ja parashtroi gjatë miratimit të Ligjit për veteranët e luftës, ka qenë i duhur. Ai mohon FARK-un dhe thotë se Ibrahim Rugova s’ishte për formim të ushtrisë.

Lajme

07/04/2014 21:13

Deputeti dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se dëshira e hedhur poshtë e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga deputetët në Kuvend që, në Ligjin për veteranët e UÇK-së të futeshin edhe ata të FARK-ut, ka qenë e duhur.

Haliti në “Zona B” në KlanKosova ka thënë se nuk ka fakte për ekzistencën e FARK-ut, por bëhet fjalë për përpjekje të disave për të hyrë në UÇK.

“Unë mendoj që ata që kanë kontribuar që një ushtar t’i përmbushë nevojat të veta, ata janë kontribuues. Kuvendi ka bërë shumë mirë që s’i ka miratuar ato amendamente”.

“Ne s’kemi asnjë fakt që ka pasur FARK, ka pasur përpjekje. Unë jam protagonisti i bisedave edhe me Bujarin (Bukoshin) që nga 95-ta edhe me Rugovën që nga 91-shi”.

“Këta po thonë që jemi ushtarë të Ibrahim Rugovës, mirëpo Ibrahim Rugova nuk ka qenë i interesuar të ketë ushtrinë e vet. Nuk është mirë që të themi se ai ka qenë komandant. Sikur vetë ai ta kishte thënë se ka qenë komandant dhe ta ketë krijuar FARK- un, atëherë po”.

“Ibrahim Rugova sa ka qenë gjallë nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Si strukturë ata kanë dashur të futen në UÇK. Planet tona nuk kanë qenë refuzuese. Ideja e themelimit të këtij FARK-u ka qenë ide e Ahmet Krasniqit”.

Por, pjesë e personave që do ta gëzojnë miratimin e këtij ligji është edhe vetë Haliti. Ai, duke shpjeguar arsyet personale të aplikimit, thotë se nuk ka aplikuar për pagë, por për një të ardhme të tij më ndryshe.

“Unë kam qenë udhëheqës i UÇK-së. S’kam konkurruar për pagë. Unë e kam një pagë në parlament dhe s’kam nevojë për pagën atje, por nesër njeriu mund të bëhet invalid, të sëmuret, të mos jetë deputet dhe të ketë nevojë të blejë ilaçe”, është shprehur Haliti .

“Është një satisfaksion për secilin që e ka një mburojë të shtetit”.