S’ka para për organizimin e zgjedhjeve deri në krijimin e kushteve juridike

22 gushti është data kur do të shpërbëhet Kuvendi dhe kjo i hapë rrugë shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Lajme

08/08/2019 20:03

Kosova hyri në këtë situatë politike pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit kur u ftua nga Gjykata Speciale për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

Partitë politike janë shprehur të gjitha të gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se ende nuk kanë para për fillimin e përgatitjeve, shkruan lajmi.net.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi u ka thënë mediave se KQZ-ja fillon përgatitjet vetëm kur të merret vendimi zyrtar për shpalljen e zgjedhjeve.

“Zgjedhjet e kaluara parlamentare, të cilat po ashtu kanë qenë të paplanifikuara, kanë kosto të përgjithshme shumën 4 milionë euro. Por, se sa do të kushtojnë zgjedhjet eventuale, ne nuk mund ta dimë tani. KQZ-ja fillon me përgatitjet intensive të një procesi zgjedhor vetëm pasi të merret vendimi për shpalljen e tij. Prandaj, në këtë drejtim ne ende nuk kemi bërë ndonjë planifikim të buxhetit. Qeveria po pret kërkesën e KQZ-së” , thotë Elezi.

Ndërsa, ministri i Financave Bedri Hamza për lajmi.net është shprehur se bazuar në praktikat e të kaluarës në Kosovë ku shpesh ka pasur zgjedhje të parakohshme, Qeveria ka qenë e kujdesshme me fondet.

Më tutje, Hamza është shprehur se kur të krijohen kushtet juridike dhe qeveria të pranojë kërkesën e KQZ-së do të merren hapat për ndarjen e mjeteve.

“Duhet fillimisht të krijohen kushtet juridike për zgjedhje. Duhet të pritet vendimi i Kushtetueses, pastaj Këshilli Qendror i Zgjedhjeve duhet të dërgojë kërkesën e specifikuar për të gjitha kategoritë ekonomike dhe të arsyetuar. Në atë moment ministria merr hapat për ndarjen e mjeteve”, tha Hamza për lajmi.net.

Por, në anën tjetër, shefja e KQZ-së, Valdete Daka është shprehur se institucioni që ajo drejton, është e gatshme për organizmin e zgjedhjeve.

“Ne jemi të gatshëm që t’i organizojmë zgjedhjet kurdo që të shpallen ato. Ne kërkojmë nga sekretariati që të mobilizohet qoftë muajin e ardhshëm, qoftë pas atij, që të jemi gati. Ne jemi gati, e them edhe një herë dhe dua që ta njoftoj edhe opinionin”, ka thënë Daka në një konferencë për media .

Kosova, që nga shpallja e pavarësisë së saj nuk ka pasur qeveri e cila e ka përmbyllur mandatin e saj. Qeveria e kaluar pas një mocioni mosbesimi, më 10 maj të 2017-tës i dha fund koalicionit të atëhershëm dhe i hapi rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Zgjedhjet e atij viti, i kushtuan Kosovës rreth 5 milion euro të cilat i kishte ndarë kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa. /Lajmi.net/