S’ka nevojë për koalicionin PDK-LDK
Njohësi i çështjeve politike, Fadil Maloku mendon se nëse Qeveria e ardhshme e Kosovës do të varet nga numrat e Listës Serbe, atëherë vendin e pret “kantonizimi”.

Lajme
“Më së paku kantonizimin më së shumti ndarje, të cilën unë e kam parë në horizont”, është shprehur Maloku.
Në një intervistë dhënë për “Epoka e Re”, Maloku gjithashtu ka pohuar se koalicioni më i keq është në mes të PDK-së dhe LDK-së ndërkaq ka thënë se ka ardhur koha që të qeverisin teknokratët.
“Kosovës i duhet një qeveri e privuar jo nga lakmia e shtetndërtimit, por e verbërisë për pushtet që sjellë, përveç privilegjeve dhe statuseve sociale, edhe mundësi reale për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme. Koalicioni më i panatyrshëm, më i dëmshëm, më absurd dhe më i keq për Kosovën do të ishte ai në mes të LDK-së dhe PDK-së”.
“Definitivisht, tani jam shumë i bindur që koha e “kredive” të luftës dhe “kredive” të paqes po perëndon. Po vjen koha e teknokratëve apo thënë me gjuhën sociologjike e “këmishbardhëve”.
Në situatën e ngërçit politikë, Fadil Maloku ka gjetur gjëra pozitive. Ai mendon se një situatë e tillë ka bërë që paralajmërohet një rirreshtim ideologjik por edhe një standard më i lartë i kulturës politike.
“Në gjithë këtë ngërç unë shoh edhe gjëra pozitive që herë pas here i kam bërë edhe publike”.
“E para, ky ngërç apo ky lloj pat pozicioni midis këtyre dy blloqeve dosido po sinjalizon se në horizont kemi një rirreshtim ideologjik që është tejet i rëndësishëm për demokracinë akoma të brishtë kosovare”.
“Së dyti, ai do të provojë të ndërtojë apo të paktën imitojë një kohë të duhur, një standard ofiçient politik të mirësjelljes dhe koekzistencës midis cilado palë që do të konfrontohen në të ardhmen”.
“Dhe së treti, mendoj, çka është fakti më i rëndësishëm: do të ushtroj definitivisht presion në ndërrimin e gjeneratave dhe ofertave të reja publike, ngaqë në pesë palë zgjedhje pothuajse kemi të njëjtat fytyra, të njëjtat parti, të njëjtat oferta dhe kjo e shëmton demokracinë e njëmend”, ka thënë Maloku.