S’ka më armëpushim, nisin luftimet në lindje të Ukrainës

Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, ka deklaruar të martën se i ka dhënë fund armëpushimit të njëanshëm 10-ditorë në Ukrainën lindore dhe është zotuar për sulme të reja mbi rebelët pro-rusë.

Bota

01/07/2014 12:49

Poroshenko ka thënë se vendimi i tij i para dhjetë ditëve ishte për armëpushim të njëanshëm ishte mundësi për rebelët prorusë që të tërhiqen, ndërsa vendimi i sotëm për t’i dhënë fund armëpushimit të njëanshëm do të pasojë me ‘përgjigje të merituar’ ndaj siç ka thënë ai, terroristëve, rebelëve, plaçkitësve, dhe të gjithë atyre që sipas tij kanë paralizuar ekonominë e rajonit lindor të Ukrainës.

Pak kohë më pas, Poroshenko në një fjalim televiziv kombëtar dha të njëjtin mesazh, ndërkohë që Agjencia ukrainase e lajmeve, citoi separatistët në qytetin lindor të Kramatorskit të kenë thënë se operacionet luftarake kanë rifilluar.

Armëpushimi i brishtë, i cili përfundoi mbrëmë, u cilësua si një shans për çarmatosjen e separatistëve dhe fillimin e negociatat më të gjera që kishin për qëllim një amnisti për rebelët dhe zgjedhje të reja rajonale. Por rebelët nuk pranuan të çarmatosen, dhe qeveria Kievit citoi raste të shumta të shkeljes së armëpushim që nga shpallja e tij më 20 qershor.

Pas njoftimit nga Poroshenko, Qeveria e Ukrainës po ashtu njoftoi se forcat e saj e kanë lansuar përsëri një “operacion antiterrorist” kundër separatistëve prorusë në pjesën lindore të këtij vendi, pasi dështoi armëpushimi 10 ditësh për zgjidhjen e krizës.

Kryesuesi Oleksandar Turchynov, ka thënë se këtë mëngjes, faza aktive e operacionit antiterrorist ka vazhduar, dhe se forcat ukrainase po i sulmojnë bazat dhe pozicionet e terroristëve.

Dy rajonet në Ukrainën lindore, Donetsk dhe Luhansk, kanë shpallur vetëqeverisjen dhe po përpiqen të ndjekin rrugën e Krimesë, e cila në muajin mars shpalli pavarësinë dhe iu bashkua Federatës Ruse.   

Aneksimi i Krimesë nga Rusia ka destabilizuar Ukrainën dhe ka ashpërsuar raportet mes Rusisë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vendosur sanksione ndaj Moskës zyrtare.