S’kanë mbaruar mundësitë për Gucatin e Haradinajn, Supremja e Speciales mund “ta ndërrojë lojën”

Gjykata Supreme mbetët adresa ku mund të drejtohet mbrojta e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për të kërkuar uljen e dënimi. Gjithashtu, ata mund të parashtrojnë kërkesë për ulje të dënimit pasi të pandehurit të arrijnë dy të tretat e vuajtjes së dënimit, për çka vendimin pastaj e merr kryetarja e…

Lajme

04/02/2023 09:48

Gjykata Supreme mbetët adresa ku mund të drejtohet mbrojta e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për të kërkuar uljen e dënimi. Gjithashtu, ata mund të parashtrojnë kërkesë për ulje të dënimit pasi të pandehurit të arrijnë dy të tretat e vuajtjes së dënimit, për çka vendimin pastaj e merr kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale të enjten ka vendosur t’i heq vetëm tre muaj burgim nga dënimi i shkallës së parë ndaj Gucatit dhe Haradinajt, i cili ka qenë 4 vjet e gjysmë.

Ky dënim po vlerësohet i lartë nga avokati i akredituar në Gjykatën Speciale, Taulant Hodaj.

“Risi e këtij vendimi të Dhomës së Apelit është pika e dytë e aktakuzës apo janë shpall të pafajshëm dhe në lidhje me këtë, i është ulur lartësia e dënimit për tre muaj. Normal që pritjet nga komuniteti i avokatëve kanë qenë që do të ketë zbritje më të madhe të dënimit, duke marrë parasysh që raste të ngjashme që kanë qenë në ish-Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, këto veprat penale kundër pengimit të administrimit të drejtësisë, janë dënuar me muaj. Ky ka qenë një dënim i lartë në krahasim me të tjerët por Gjykata Speciale ka një standard tjetër dhe siç e kemi parë me dy dënimet, lartësia e dënimit është shumë e madhe dhe po vazhdon edhe shkalla e dytë. Por është edhe një instancë tjetër ku munden me kërkuar rishqyrtimin e të gjitha këtyre në dhomën e gjykatës supreme por nuk mund të jenë pritjet shumë të mëdha sepse i ka kaluar dy filtrat e gjyqësorit ky vendim”, thotë ai.

Paneli i apelit ka rrëzuar konstatimin e trupit gjykues në shkallën e parë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe i shpalli të pafajshëm Gucatin dhe Haradinajn për pikën 2 të aktakuzës.

“Të ky rast mund të kërkojnë në lidhje me pikën e dytë që janë shpall të pafajshëm dhe që është zbritje e dënimit për tre muaj, të kërkojnë që të zbritet dënimi më shumë, kjo është ndër bazat më kryesore që mund të kërkojnë në Dhomën Supreme në Gjykatën Speciale, sepse ky është një vendim komplet ndryshe nga Gjykata Themelore dhe nuk është shqyrtuar në dyshkallshmëri, do të thotë që Supremja me këtë mund ta shqyrtojë dhe nëse ka argumente të paktën të ulë lartësinë e dënimit”, thotë avokati Hodaj.

Ai thotë se dënimi tani është i plotfuqishëm dhe nuk ka asnjë pengesë procedurale që ata të transferohen për të vuajtur dënimin me burg në ndonjë shtet tjetër me të cilin ka marrëveshje gjykata.

Megjithatë, ai vlerëson që procedurat e transferimit nuk do të përfundojnë derisa të merret një vendim edhe nga Gjykata Supreme, nëse mbrojtja parashtron kërkesë.

Ndërkohë, janë bërë 28 muaj prej kur Gucati e Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa kur të arrin në 34 muaj ata kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për ulje të dënimit, thotë Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

“Ajo çka mbetet në bazë të plotfuqishmërisë së vendimit janë mjetet e jashtëzakonshme juridike, pra pala mbrojtëse ka të drejtë t’i shfrytëzojnë këto mjete të jashtëzakonshme juridike në shkallën e tretë apo në Gjykatën Supreme, po ashtu mundet edhe me parashtruar një kërkesë për uljen e dënimit me arritjen e dy të tretës së vuajtjes së dënimit. Pra, deri më sot të pandehurit kanë qenë në paraburgim për rreth 28 muaj, kur të bëhen 34 muaj, ata kanë të drejtë që të paraqesin këtë kërkesë për ulje të dënimit dhe më pas kryetarja e Dhomave të Specializuara do të shqyrtojë kërkesën nëse të pandehurit i kanë plotësuar kushtet që të ulet dënimi dhe pas mbajtjes së një seancë dëgjimore, atëherë do të vendosin lidhur me kërkesën”, thotë ai.

E kushtet të cilat kërkohen për ulje të dënimit janë sjellja e mirë e të pandehurve në burg, si dhe të premtojnë që nuk kryejnë vepra penale në të ardhmen.

E vendimin e Dhomës së Apelit nuk e kanë mirëpritur shoqatat e dala nga lufta në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari konsideron se me vendimin e së enjtes është dëshmuar edhe njëherë se Gjykata Speciale është politike.

“Nuk kemi prit (më shumë), ky është edhe një fakt më shumë se është gjykatë politike, ashtu qysh e kemi cilësuar ne edhe gjatë kundërshtimit që të mos themelohet një gjykatë e tillë. E kemi ditë që është e njëanshme, e kemi ditë që kjo gjykatë ka bashkëpunuar me prokurorinë serbe për të njollosur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, një gjë të tillë nuk do ta arrijnë kurrë, jo vetëm kjo gjykatë po asnjë gjykatë që themelohet me pretendime dhe tendenca të tilla…Ne e kundërshtojmë fuqishëm, e kundërshtojmë gjitha vendimet që ka marrë kjo gjykatë ndaj luftës së lavdishme të UÇK-së dhe bartësve të kësaj lufte që padrejtësisht po gjenden në Hagë”, thotë Jashari.

Të enjten paneli i Apelit ka lënë në fuqi vendimin e fajësisë për Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për frikësim gjatë procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të identiteteve dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur.

Gjithashtu, Apeli me përjashtim të gjykatësit Ambos, ka lënë në fuqi verdiktin e fajësisë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, nëpërmjet kërcënimit të rëndë.

Gjykatësit kanë lënë në fuqi dënimin me gjobë prej 100 euro.

Ish-krerët e OVL-UÇK ishin dënuar në shkallë të parë më 4 vjet e gjysmë burgim, ndërsa tani vendimi i Apelit ka përcaktuar 4 vjet e tre muaj burgim për secilin, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.

Gucati e Haradinaj janë arrestuar më 5 shtator të vitit 2020 dhe prej atëherë janë në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ish-krerët e OVL-UÇK u shpallën fajtor për pengim të personave zyrtar nëpërmjet kërcënimit, për frikësim gjatë procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të informacioneve të fshehta dhe për zbulim të identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur, ndërsa janë shpallur të pafajshëm për një pikë të aktakuzës që është vepra penale e hakmarrjes.

Sipas Zyrës së prokurorit të specializuar, ata kishin zbuluar informacione të mbrojtura me qëllim që të zbulonin identitetin e dëshmitarëve të mundshëm të Dhomave të Specializuara.