S’ka marrëveshje me Qeverinë, SBASHK-u paralajmëron protesta nga java e ardhshme

Greva e SBASHK-ut po vazhdon edhe pas kërkesave të MASHT-it për pezullimin e saj dhe fillimin e procesit mësimor.

Lajme

25/01/2019 17:45

Sot, në ditën e fundit të javës së dytë të grevës, SBASHK-u po qëndrojnë prapa kërkesave të tyre duke mos i dëgjuar thirrjet e institucioneve të vendit.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ditë më parë ka paralajmëruar se mund të ketë edhe hapa të tjerë shtesë nga grevistët, shkruan lajmi.net.

Kërkesa e mësimdhënësve është rritja prej 30 për qind e pagës, gjë që po konsiderohet e papërballueshme nga Ministria e Arsimit edhe nga Qeveria e Kosovës.

Derisa sot, lajmi.net ka mësuar se këshilli grevist ka propozuar një formë tjetër të shfaqjes së pakënaqësisë, e ajo pritet të jetë edhe protesta.

E këtë për lajmi.net e ka konfirmuar edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari.

Ai  ka thënë se një kërkesë e tillë ka dalur nga terreni, e që iu është dhënë këshillit grevist nëpër komuna.

“Është ide për momentin dhe po e analizojmë, mbase java që po fillon, karshi grevës që do të vazhdojë, do të shkojmë edhe me veprime të tjera sindikale dhe njëra prej ideve është që të ketë protesta”, është shprehur Jashari për lajmi.net.

Ai ka treguar se duhet bukur shumë përgatitje për organizimin e protestave.

“Protesta mund të ketë ose nëpër komunat e Kosovës do të thotë sindikalistët e bëjnë protestën në qytetin e tyre, ose do të organizohemi fuqishëm dhe do të bëjmë protestën në Prishtinë”, ka vazhduar Jashari për lajmi.net.

Ndër të tjera ai ka theksuar se janë duke e analizuar këtë ide për arsye se kërkon shumë përgatitje.

Vlen të theksohet se sot edhe Sindikata e Universitetit të Prishtinës në një takim informues janë shprehur se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre. /Lajmi.net/