S’ka kohë për takime, bashkë ose asnjërin!
Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës i kanë tejkaluar tashmë disa kufizime kohore që i kishin para vetës për të shmangur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje.
Lajme
Thirrjet e presidentes Atifete Jahjaga për një takim të përbashkët, liderët e bllokut LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje nuk i kanë përfillur, duke insistuar se si shumicë e krijuar parlamentare kanë të drejtë t’i formojnë dhe udhëheqin institucionet e reja.
Në anën tjetër, PDK e cila nuk po arrin që fitoren në zgjedhje ta kurorëzojë me formimin e qeverisë së re, shfrytëzon mundësitë që i ka ofruar Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që të mos tërhiqet në opozitë.
Bllokada e krijuar tani mund të provohet të zgjidhet me anë të ndonjë vendimi të presidentes Jahjaga, që nënkupton shpalljen e zgjedhjeve, në funksion të garantimit të kushtetutshmërisë dhe funksionimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Mirëpo, nga Zyra e Presidentes ende jepen shenja që tregojnë se partitë politike mund të ndryshojnë pozicione dhe në momentin e fundit ta shpëtojnë vendin nga zgjedhjet.
“Ka ardhur koha që liderët e partive politike parlamentare të ulen në një takim të përbashkët. Dhe ka ardhur koha që së bashku të gjejnë zgjidhjen e pranueshme për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale”, ka deklaruar zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu.