S’ka koalicion me LDK

Ylli Hoxha i Vetëvendosjes thotë se ky subjekt nuk ka bërë koalicion me LDK’në në Prishtinë, pavarësisht se votat e tyre u bashkuan sot në Asamble. Thotë se VV është koalicion “vetëm me interesin e qytetarëve”.

Lajme

22/01/2014 20:58

Shefi i Grupit të Këshilltarëve të Vetëvendosjes në Asamblenë Komunale të Prishtinës, Ylli Hoxha, ka përjashtuar mundësinë që ky subjekt politik të ketë lidhur koalicion në nivel lokal në Kryeqytet me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Zgjedhja e Halim Halimit të LDK’së në krye të Asamblesë Komunale të Prishtinës dhe debati rreth përbërjes së Komitetit për Politikë dhe Financa janë bërë me votat e bashkuara të LDK’së dhe Vetëvendosjes, si dy grupimet më të mëdha në Asamblenë e Prishtinës.

Dyshime për një koalicion të fshehtë Vetëvendosje-LDK më pas kishte shfaqur publikisht Këshilltari I PDK’së në Asamble, Memli Krasniqi.

Por, sipas Ylli Hoxhës, kjo është një dezinformatë.

“Mirë që e sqaroi se nuk paskemi koalicion të fshehtë me PDK dhe së paku e flaku një dezinformatë të vjetër me një të re. E përsëris, Vetëvendosje është në koalicion vetëm me interesin e qytetarëve të Prishtinës. Dhe aq!”, ka shkruar Ylli Hoxha në Facebook.