S’ka Aleancë me Palin

PDK thotë se nuk do ta mbështesë Kandidatin e AAK’së, Pal Lekaj, në rast se gara për Kryetar të Komunës së Gjakovës shkon në balotazh. Raportimet e tilla i quan tendencioze dhe që nuk kanë të bëjnë asgjë me të vërtetën.

Lajme

20/09/2013 10:57

Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta mbështesë Kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, në garën për Kryetar të Gjakovës.

PDK ka lëshuar një deklaratë, me të cilën përgënjeshtron raportimet se kjo parti do ta mbështesë Kandidatin e AAK’së në rast se gara për Kryetar të Komunës së Gjakovës shkon në balotazh.

Thotë se raportimet e tilla janë “tendencioze dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me të vërtetën”.

“Për hir të informimit të drejtë, Zyra për Komunikim me Publikun në PDK sqaron se artikulli ‘Balotazhi, PDK mbështet AAK’në’, i cili ka qarkulluar dje nëpër disa portale dhe është transmetuar në televizionin KlanKosova, se gjoja PDK në Gjakovë do të mbështesë Kandidatin e AAK’së në zgjedhjet lokale në këtë Komunë, është tendencioz dhe nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën.”

“Partia Demokratike e Kosovës, për Gjakovën dhe qytetarët e saj, ka alternativë konkrete qeverisëse, ka ekipin dhe kandidatin e saj për Kryetar, Hajdar Beqa, me të cilin synon ta fitojë besimin për qeverisjen e Komunës dhe t’i zgjidhë problemet të cilat po rëndojnë që shumë vite radhazi mbi qytetarët e saj”.

“Partia Demokratike e Kosovës, si subjekti më i madh politik në vend, apelon tek të gjitha mjetet e informimit, që të mos bien pre e spekulimeve dhe lajmeve me prapavijë politike në këtë fazë parazgjedhore, por t’i konfirmojnë ato para se t’i raportojnë apo transmetojnë”.