Sivjet më shumë hyrje-dalje në kufijtë Kosovë-Shqipëri

Këtë verë, në krahasim me verën e kaluar, është rritur fluksi i hyrje-daljeve Kosovë-Shqipëri, sipas shifrave zyrtare të kontrollit të personave nga tre pikëkalime kufitare, Vërmicë, Qafë Morinë dhe Qafë Prush. Për muajt qershor e korrik të dhënat i bëri të ditura për ATSH-në Baki Kelani, shef i Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun i Policisë së Kosovës.

Lajme

19/08/2014 20:46

Në tre vendkalimet Shqipëri-Kosovë, sipas të dhënave të kontrollit, në qershor  2013  kishte hyrje-dalje të  252,346 personave, ndërsa në qershor 2014 të 357,525 personave. Në muajin korrik 2013 hyrje-dalje të personave kishte 521,437, ndërsa në  korrik 2014 kishte 542,019.

Javën e kaluar, majori Kelani bëri të ditur ATSH-në se në vendkalimin kufitare Kosovë-Shqipëri në Vërmicë, nga 1 deri më 10 gusht pati gjithsej 311,525 hyrje-dalje të personave të kontrolluar (160,181 hyrje, 151,344 dalje). Brenda këtyre 10 ditëve të para të gushtit, në hyrje-dalje në Vërmicë kishte vetura të kontrolluara në total 86,887 (hyrje 41,375, dalje 45,512); autobusë 2,209 (hyrje 1,135, dalje 1,074); automjete komerciale 3,722 (hyrje 1,844, dalje 1,878).

Nga fillimi i muajit korrik, Policia e Kosovës dhe Policia e Shqipërisë, duke zbatuar Memorandumin e Bashkëpunimit, patrullojnë së bashku në rrugët e Shqipërisë me qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurt për të gjithë qytetarët gjatë sezonit turistik. Marrëveshja është nënshkruar më 28 qershor në Prizren nga drejtorët e përgjithshëm të dy policive të shtetit.