Sivjet janë vrarë 60 gazetarë

Te paktën 60 gazetarë gjatë vitit 2014 e kanë humbur jetën derisa kanë kryer punën e tyre, ndërsa nga ky numër madje 44 për qind janë qëllimisht të vrarë, njoftoi sot Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Bota

23/12/2014 10:13

Në raportin e kësaj organizate me seli në New York thuhet se një pjesë pazakonshëm e madhe, apo rreth një e katërta e gazetarëve të vrarë, janë korrespondentë ndërkombëtarë, edhe pse pjesa më e madhe e gazetarëve e ka humbur jetën në vendin e vet. 

Numri i gazetarëve të vrarë sivjet është më i ulët krahasuar me 70 sosh vitin e kaluar, por tri vitet e fundit kanë qenë më vdekjeprurëset për profesionin prej vitit 1992, respektivisht prejse Komiteti në ka nisur të mbajë evidencën e këtillë. 

Numrit të madh të gazetarëve të vrarë më së shumti i kontribuoi konflikti në Siri, i cili zgajt tashmë 4 vjet. Në këtë vend gjatë vitit 2014 humbën jetën 17 gazetarë, me çka numri i rasteve të vdekjes në këtë profesion nga fillimi i konfliktit në Siri më 2011 u rrit në të paktën 79. 

Në Ukrainë, në lindje të së cilës po vazhdojnë përleshjet mes forcave ukrainase dhe atyre pro-ruse, gjatë 2014-ës u vranë pesë gazetarë dhe dy punëtorë medialë, që është hera e parë e vrasjes së gazetarit në Ukrainë që nga viti 2001, njoftoi Komiteti. 

Gjatë 50 ditëve të luftës mes Izraelit dhe palestinezëve në Brezin e Gazës u vranë të paktën 5 gazetarë dhe tre punëtorë medialë, në Irak janë vrarë pesë gazetarë, ndërsa në Afganistan humbi jetën fotoreporterja e AP-së Anja Niedringhaus.