Situata e rënduar me koronavirus, Zvicra, Norvegjia dhe Luksemburgu i dhurojnë QKUK-së 20 ventilatorë

Ambasada e Zvicrës, Norvegjisë dhe Luksemburgut i kanë dhuruar QKUK-së një donacion prej 20 ventilatorëve.

Lajme

06/07/2020 16:31

Që nga sot Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës ka edhe 20 ventilatorë më shumë, kjo falë donacionit të ambasadës së Zvicrës, Norvegjisë dhe Luksemburgut.

Përmes një postimi në profilin zyrtar në rrjetin social Facebook, ambasada zvicerane ka bërë të ditur se këta ventilatorë janë shumë të rëndësishëm për pacientët me koronavirus të cilët janë duke u trajtuar në QKUK, shkruan lajmi.net.

Me këtë rast, ambasadori zviceran në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në mënyrë urgjente të zbatojë të gjitha masat parandaluese për përhapjen e koronavirusit si dhe ka kërkuar nga qytetarët që të përdorin maska.

“Ne jemi të lumtur për dorëzimin e grupit të dytë të këtyre pajisjeve të rëndësishme në luftimin e COVID-19. Do të rrisin kapacitetin e sistemit të brishtë shëndetësor për t’ u përballur me rritjen e hospitalizimeve. Për të luftuar rikthimin e fundit të infeksioneve, inkurajojmë fuqishëm Qeverinë e Kosovës që urgjentisht të zbatojë masat parandaluese, siç janë përdorimi i maskave të fytyrës, larja e dorës dhe distancimi social, të cilat kanë dëshmuar të suksesshme nëpër botë”, citohet të ketë thënë ambasadori Jean-Hubert Lebet. /Lajmi.net/