Siri, pushtohet bazën ajrore Tabqa

Militantët sunni të “Shtetit Islamik”, të shpallur muaj më parë në tokat e pushtuara të Sirisë dhe Irakut, kanë marrë nën kontroll një ndër bazat ajrore kyçe të qeverisë siriane.

Bota

25/08/2014 12:08

Baza ajrore Tabqa, ishte fortesa e fundit e mbetur e pushtetit të presidentit sirian Bashar al-Asadit, në provincën Raqqa.  

Televizioni shtetëror sirian ka konfirmuar lajmin se trupat qeveritare e kanë humbur kontrollin e Tabqa-s, porse siç thuhet, baza ajrore është “evakuuar”, pas disa ditë luftimesh, dhe ku kishte qindra të vrarë në të dyja anët.

Më shumë se 190 mijë sirianë janë vrarë që prej kur filloi lufta civile në Siri, në muajin mars të vitit 2011.

Në fillim shpërthyen protestat qytetare të përkrahura edhe nga bota demokratike për të rrëzuar regjimin e presidentit Bashar al-Assad, por më pas kryengritja degjeneroi në luftë civile mes grupeve militante të sekteve e klaneve të ndryshme.     

IS, i njohur më parë si ISIS (Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë), ka zgjeruar shtrirjen e saj në pjesë të mëdha të Sirisë lindore dhe veri të Irakut në muajt e fundit, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara që prej tri javësh ka nisur sulmet ajrore “të kufizuara” kundër grupit në Irak, por nuk i ka në shënjestër ata në Siri.

Në Irak, si pasojë e ofensivës së militantëve të ISIS, mbi pesë minj irakianë janë vrarë, shumica civilë, pjesëtarë të komunitetit Yazidi, por edhe të krishterë dhe myslimanë shiitë, ndërsa mbi një milion janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre të ngujuar nëpër male dhe vendbanime të kontrolluara nga kurdët.

Presidenti amerikan, Barack Obama, autorizoi javë më parë sulmet ushtarake kundër caqeve të “Shtetit Islamik”, me qëllim të ndaljes së krimeve dhe gjenocidit të mundshëm ndaj komunitetit Yazidi dhe civilëve të rrezikuar nga ofensiva terroriste e militantëve islamikë.