Sipas Iranit, marrëveshja nukleare është e mundshme

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Muhamed Xhavad Zarif tha të dielën se ende ka mundësi për arritjen e marrëveshjes nukleare, megjithë rundin e vështirë të bisedimeve. 

Bota

18/05/2014 13:03

Marrëveshja është e mundshme. Por, nuk duhet pasur iluzione. Nuk duhet lëshuar rastin siç ndodhi në vitin 2005, ka shkruar Zarif në Twitter lidhur me kontestin shumëvjeçar të Iranit dhe fuqive të mëdha rreth programit nuklear të Teheranit, transmeton agjencia e lajmeve AFP.

Irani dhe gjashtë fuqitë botërore përfunduan të premten në Vjenë rundin e katërt të bisedimeve pa, siç thuhet \”përparim të dukshëm\”.

Britania e Madhe, Kina, Franca, Rusia, SHBA-të dhe Gjermania, i ashtuquajturi grupi  P5+1, kërkojnë nga Irani që të zvogëlojë në mënyrë drastike aktivitetet nukleare, në mënyrë që të mos mbetet fare dyshimi se Irani dëshiron të prodhojë bomba nukleare.

Irani dhe fuqitë botërore duan që të kurorëzojnë marrëveshjen deri më 20 korrik, kur skadon marrëveshja kalimtare e arritur në nëntor të vitit të kaluar, sipas së cilës Irani ka ngrirë aktivitete të caktuara nukleare në këmbim të zbutjes së sanksioneve ndaj tij.

Në këmbim të lehtësive të reja, Irani, i cili mohon se përpiqet të prodhojë bombë atomike, kërkon heqjen e të gjitha sanksioneve të OKB-së dhe të vendeve perëndimore, që i kanlë shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë së këtij vendi.