Sindikatat ia bëjnë me dije Kurtit: Nuk pranojmë pagë minimale nën 350 euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar dje se ka filluar ndërmarrja e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale.

Lajme

22/02/2022 19:59

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli thotë se paga minimale duhet të jetë 350 euro e lartë, sidomos tani kur çmimet janë rritur shumë.

Derisa thotë se paga minimale aktuale është diskriminuese, Hykolli bën të ditur se kanë themeluar komisione për hulumtim dhe diskutim për pagën minimale.

“Çmimet kanë lëvizur shumë, edhe ato esenciale për jetën e njeriut kështu që ne jemi duke pritur komisionet sepse ata janë duke bërë një hulumtim për pagën minimale, mirëpo si BSPK mendojmë që pagat minimale duhet të fillojë negocimi për 350 euro e më lart… Paga minimale nuk është diskutuar e as diskutuar që nga viti 2011, kemi edhe një pagë minimale që është diskriminuese, është 170 euro për moshën mbi 30 vjeçare, dhe e kemi 130 euro nën moshën 30 vjeçare. Neve na duket se është një negocim i lartë, por po të ishte negociuar paga minimale nga viti 2011, atëherë ne do ta kishim një pagë minimale ndoshta edhe më shumë se shifrën që po e them tash”, tha Hykolli.

Hykolli tregon se janë në proces të diskutimit për përcaktimin e nivelit të pagës minimale.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është pjesë e këshillit ekonomiko-social. Ne edhe e udhëheqim këtë këshill dhe e negociojmë pagën minimale. Marrin pjesë partnerë social, Qeveria, bizniset dhe ne si konfederatë. Ne kemi filluar diskutimin e pagës minimale, ne kemi krijuar komisione që janë të thirrura për diskutimin e pagës minimale, dhe ata janë duke përfunduar punën e tyre”, u shpreh Hykolli.