Sindikata e Punëtorëve të sektorit privat kërkon rritjen e pagës minimale në 350 euro

Gjendja e rëndë e punëtorëve në sektorin privat dhe paga e ulët minimale në vend ishin tema kryesore në konferencën për media të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë.

Lajme

06/03/2020 16:09

Kryetari i kësaj sindikate Jusuf Azemi tha se siguria dhe shëndeti në punë vërtet është në gjendje të rëndë, sivjet një punëtor ka humbur jetën në vendin e punës.

Azemi po ashtu ka kërkuar po ashtu nga kryeministri Albin Kurti që nga 1 maj i këtij viti të rritet paga minimale në 350 euro në vend, ashtu siç ka deklaruar ditëve të fundit. Paga minimale aktualisht është nga 130 deri 170 euro.

“Kërkesat e sindikatës për Qeverinë e Kosovës, janë: Më 1 maj të bëhet nënshkrimi i pagës minimale prej 350 euro. Do t’i propozojmë kryeministrit, do t’i shkruaj sot, qa pagën minim ale e ka deklaruar me dëshirë, jo me imponim dhe me protesta… I ftojmë të gjitha kompanitë, që tani e tutje të mos nënshkruajnë kontratat me institucionet shtetërore, por edhe vet punëtorët, nën pagën 350 euro, sepse në të kundërtën ne nuk do të punojmë”, tha Azemi.

Azemi ndër të tjera ka kërkuar edhe që numri i inspektorëve të rritet fillimisht deri 200 inspektorë si dhe kushtet e punëtorëve në sektorin privat të përmirësohen.

“Siguria dhe shëndeti në punë është jashtëzakonisht e rëndë, që nuk kemi arsye as ne si sindikatë dhe as qeveria që është bërë diçka. Këtë vit është pak më pozitive, sepse në vitet paraprake në periudhën e njëjtë të këtij viti, ka pasur shumë më shumë vdekje. Lutemi që më mos të ndodhë asnjë rast, por megjit hatë, në dy mujorin e parë të këtij viti një rast të vdekjes në vendin e punës, që për neve është rast i rëndë”, theksoi ai.

Ndërsa, vitin e kaluar në vendin e punës kanë humbur jetën rreth 22 punëtorë.