Sindikata e Punëtorëve e RTK-së kërkon nga LVV-ja të fillojë me ligjin e ri për këtë medium

Përfaqësuesit e SPERTK-së, Gëzim Bimbashi - kryetar, Fejsal Shasivari - nënkryetar dhe Blerim Ruhani - anëtar, janë takuar sot me shefen e Gupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, me kryetaren e Komisionit për Media, Doarsa Kica, deputetin Valon Ramadani dhe deputetë të tjerë nga radhët e Vetëvendosjes.

Lajme

21/04/2021 16:53

Kryesia e ka njoftuar zonjën Kusari-Lila dhe zonjën Kica si dhe deputetët për situatën jo të mirë të RTK-së, fillimisht me financimin, objektet e stërvjetruara dhe së fundmi edhe diskutuam për raportin financiar për tremujorin e parë të këtij viti dhe tremujorin e dytë të RTK-së, ku u saktësua se duhet sjellë një raport më i detajuar financiar nga ana e menaxhmentit sa u përket shpenzimeve, për të cilin u pajtuam edhe ne.

“Kërkojmë nga menaxhmenti që javën e ardhshme ta dërgojë në Komisionin për Buxhet e Transfere raportin e hollësishëm financiar”, thuhet në njoftimin e kësaj sindikate.

Sindikata kërkoi nga të pranishmit që të bëjnë zgjidhje të menjëhershme rreth ligjit të ri dhe financimit të pavarur të RTK-së.

Kërkesë e zonjës Kusari dhe zonjës Kica ishte të ftohej auditori në RTK, pastaj të fillohet me procedura rreth ligjit e pronës së RTK-së, për të cilën gjë ne u pajtuam se duhet të ndodhë.

“Sindikata kërkoi nga Grupi parlamentar i Vetëvendosjes që sa më parë të fillojnë me ligjin e ri dhe objekti ku gjendet Radio Kosova t’i kalojë në pronësi RTK-së dhe me pak investime në të ai do t’i shërbente RTK-së, ta kryente punën e saj pa asnjë vështirësi. Sindikata e Punëtorëve është duke u angazhuar vazhdimisht për kushtet e punës dhe të ardhmen e mediumit publik dhe distancohet nga çdo parregullsi që ka mundur ose mund të ndodhë në RTK”, thuhet në njoftimin e sindikatës.