Simeone: Madridi është bardh e kuq

Diego Simeone thotë se Madridi është bërë bardh e kuq, pasi Atletico Madridi e fitoi titullin e kampionit në La Liga. Tash, trajneri argjentinas shpreson ta fitojë edhe Ligën e Kampionëve.

Sport

18/05/2014 15:21

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone e ka festuar titullin e dhjetë të kampionit në La Liga, në konferencë për shtyp me tërë stafin e tij.

Trajneri argjentinas e ka shprehur gëzimin, ndërsa e kanë bërë të ndihet mirë edhe duartrokitjet që i mori ekipi i tij pas ndeshjes, në barazimin 1:1 ndaj Barcelonës, pas së cilit Los Colchoneros e fituan titullin e kampionit në Spanjë.

“Jemi të lumtur. Duartrokitjet e të gjithë stadiumit e mbyllën një vit të mrekullueshëm në kampionat. Ka vendosur sakrifica e një skuadre dhe një kryesie që nuk është ndalur kurrë së luftuar”, deklaroi fillimisht ish trajneri i Catanias.

Tash, ai po mendon për finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit, e cila do të zhvillohet të shtunën e ardhshme në Lisbonë.

“Tash do të festojmë, pasi Madridi është bërë bardh e kuq. Por, s’mund të festojmë shumë, sepse e kemi edhe një ndeshje të rëndësishme për ta luajtur”, përfundoi Simeone.