Siguria në veri, në suaza të normales

Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka ka vlerësuar se Kosova ka polici moderne, e cila mund të krahasohet me vendet evropiane.

Lajme

03/11/2014 09:24

Në një intervistë dhënë për “Epoka e Re”, zëvendësministri Zeka ka thënë se sa Policia e Kosovës punon në mënyrë profesionale duke u bazuar në standardet e vendeve më të zhvilluara të Evropës.

“Nëse bëjmë një krahasim me shtetet e rajonit, Kosova ka policinë më moderne që punon në mënyrë profesionale me standardet të vendeve më të zhvilluara të Evropës sa i përket sigurisë. Në këtë kontekst, stabiliteti dhe siguria në shtetin e Kosovës i kanë kaluar fazat e zhvillimit të saj dhe lirsëm mund të themi se krahasohemi me vendet evropiane”.

Duke folur për gjendjen e sigurisë në veri të vendit, Zeka ka thënë se atje gjendja është në “suaza të normales” dhe se atje tashmë veprojnë ligjet e Kosovës.

“Me krijimin e institucioneve legale në pjesën veriore është bërë edhe integrimi institucional i tyre dhe janë krijuar premisa që të shtrihet autoriteti institucional dhe legal edhe në pjesën veriore. Tani kemi komandën e policisë, e cila funksionon në kuadër të Policisë së Kosovës dhe operon në tërë atë pjesë”.

Konsiderojmë se gjendja në veri është në suaza të normales dhe kemi siguri të qëndrueshme dhe stabile. Mbetet ende për t’i dëshiruar, por e rëndësishme është se gjithçka në aspektin e sigurisë dhe institucioneve të tjera funksionon me ligjet e Kosovës dhe në hierarkinë e komandës policore të Kosovës”, ka thënë ai për Epoka e Re”.