Siguri në blloqet banesore

Besnik Tahiri foli sot për planet e tij për sigurinë në blloqet banesore në Prishtinën e drejtuar nga ai. Sipas tij, qytetarët gjithnjë kanë të drejtë në shfaqjen e ankesave të tyre.

Lajme

23/10/2013 15:08

Kandidati i AAK’së për Kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri, prezantoi sot planin për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e blloqeve banesor që përfshin fasadimin, rregullimin dhe mirëmbajtjen e hyrjeve të banesave, rregullimin e ndriçimit dhe mbi të gjitha vendosjen e sigurisë në to.

Tahiri theksoi se investimi në rregullimin e hyrjeve të objekteve shumë-banesore ngrit sigurinë për banorët dhe eviton qasjen në ndërtesë të individëve tjerë duke vendosur në hyrje censorë të kartelave elektronike.

“Investimi në kamera që vëzhgojnë 24 orë në hyrje të objektit, në ashensorë dhe në korridorin e hyrjes. Investimi në riparimin e xhamave të thyer përgjatë korridoreve dhe hapësirave të përbashkëta në secilin kat të ndërtesës”, ka thënë Tahiri duke specifikuar se këto investime kushtojnë rreth 3000 euro për njësi dhe “ndikojnë në ngritjen e sigurisë për banorët”.

“Gjendja ekzistuese në objektet shumë-banesore tregon se kemi mungesë ndriçimi të shkallëve dhe hyrjeve, mungesë pastërtie dhe mirëmbajtje, krijohen mbeturina nga broshura që dërgohen si reklama nga kompanitë e ndryshme dhe mbi të gjitha mungon siguria njerëzore”.

Sipas Tahirit, një partneritet publiko privat mund të zgjidhë përgjithmonë këtë problem

Ai theksoi se për ofrimin e shërbimeve publike, duhet t’i kushtohet vëmendje intervenimeve, por edhe duhet të funksionalizohen një numër i mekanizmave të rëndësishme të rritjes së përgjegjshmërisë së vendimmarrjes, menaxhmentit dhe anës operacionale në mënyrë që “të jemi në gjendje të përmirësojnë në mënyrë të duhur produktivitetin e shërbimeve komunale”.

“Në shfaqjen e shqetësimeve dhe ankesave për ne qytetarët dhe gjithnjë kanë të drejtë. Andaj shërbimet komunale duhet pasur si fokus qytetarin dhe jetën e tij”, ka thënë Besnik Tahiri.