Sigal Prishtina pëson nga Teodo

Sigal Prishtina vazhdon të pësojë humbje në ndeshjet si mysafir në kuadër të Ligës Ballkanike në basketboll. Bardhekaltrit u mposhtën në udhëtimin e tretë të njëpasnjëshëm nga Teodo – skuadra e fundit në renditje –  me rezultat 76:70. Skuadra nga kryeqyteti tani ka bilanc prej shtatë fitoresh dhe pesë humbjeve. Vendasit e mbyllën çerekun e…

Sport

18/02/2014 18:47

Sigal Prishtina vazhdon të pësojë humbje në ndeshjet si mysafir në kuadër të Ligës Ballkanike në basketboll.

Bardhekaltrit u mposhtën në udhëtimin e tretë të njëpasnjëshëm nga Teodo – skuadra e fundit në renditje –  me rezultat 76:70.

Skuadra nga kryeqyteti tani ka bilanc prej shtatë fitoresh dhe pesë humbjeve. Vendasit e mbyllën çerekun e parë në epërsi 20:18, kurse periudha e dytë e lojës u mbyll në barazim 18:18, duke dërguar skuadrat në pushim me avantazh të lehtë të malazezëve, 38:36.

Por, Teodo e dominoi çerekun e tretë të cilin e mbylli me epërsi të thellë 22:10 duke u shkëputur dukshëm në rezultat.

Në periudhën e fundit të lojës, Sigal Prishtina tentoi rikthimin dhe arriti të afrohej në katër pikë disavantazh, por vendasit u shkëputën sërish falë disa shënimeve të njëpasnjëshme duke triumfuar në fund me rezultat 76:70.

Dardan Berisha ishte më i dalluari tek Sigal Prishtina me 20 pikë. Kendrick Jones i shtoi 15 pikë kurse Aurimas Kieza kontribuoi me 10.

Savo Djikanovic ishte basketbollisti më efikas tek Teodo me 26 pikë, i ndihmuar nga Manuel Johnson me 17.