Sigal Prishtina në Eurocup?

Sigal Prishtina do të luaj kualifikime për këto gara, kurse ka edhe propozime që i mundësojnë kësaj skuadre kualifikim të shpejtë në Eurokupë.

Sport

14/05/2015 13:39

Sigal Prishtina shumë shpejt pritet garojë në Eurocup, e cila garë është e dyta në Evropë për nga niveli, pas Euroleagues.

Ja njoftimi i Federatës së basketbollit

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu dhe anëtari i Bordit, Arben Fetahu do të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës që do të mbahet më 16 e 17 maj në Maltë.

Në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës do të zyrtarizohet anëtarësimi i FBK-së në këtë institucion dhe më pas do të fillojë të figurojë Kosova si anëtare e FIBA Evropës.

Ndër pikat e rendit të ditës që do të diskutohen në Maltë është edhe sistemi i garave në garat evropiane në nivel të klubeve.

FIBA Evropa i ka dërguar 8 propozime në lidhje me sistemin e garave të Euroligës dhe Eurokupës. Shumica prej këtyre 8 propozimeve i favorizojnë kampionët kombëtar, të cilët kanë rastin të luajnë në kualifikime për Euroligë dhe Eurokupë, e në rastin e Kosovës është pothuajse e sigurt që Sigal Prishtina do të luaj kualifikime për këto gara, kurse ka edhe propozime që i mundësojnë kësaj skuadre kualifikim të shpejtë në Eurokupë.

Duhet theksuar se një datë tjetër e rëndësishme për pjesëmarrjen e klubeve të Kosovës në garat ndërkombëtare në edicionin e ardhshëm është edhe 28 maji, kur pikërisht në Prishtinë do të mbahet mbledhja e Bordit të Ligës Ballkanike (BIBL). Në këtë mbledhje të Bordit të BIBL do të diskutohet dhe do të vendoset për sistemin e garave për edicionin 2015/16.